Gjirokastër, Luftëtari del me një pikë parballë Teutës
Në Gjirokastër takimi ishte vërtetë ashtu siç pritej, shumë i luftuar nga të dy skuadrat, por me vendasit dukshëm më lart teknikisht, ndonëse në fund rezultati ishte i bardhë 0-0. Në pjesën e parë, portieri Shpëtim Moçka u bë dy herë hero për durrsakët në pjesën e parë, ndërsa në një moment ishte traversa ajo që ndali topin e gjuajtur nga talenti i Luftëtarit, Dejvi Bregu.
Edhe 45-minutëshi i dytë pati të njëjtën tablo si e para, por me ndryshimin se këtë herë rastet e pastra ishin më të pakta për të dy skuadrat, ndërsa Teuta pa më shumë drejt sulmit, për të marrë 3 pikët dhe për të ruajtur ritmin e Vllaznisë paraardhëse në renditje. Gjithsesi, mund të thuhet se ky barazim i shërbeu më shumë durrsakëve, që morën një pikë në këtë transfertë të vështirë, pasi Luftëtari i Likës shpërdoroi një mundësi të mirë për t’u futur në zonën europiane.