Gjirokastër, Luftëtari përmbys ndeshjen me Tiranën
Problemi kryesor i Tiranës në këto javë të para të drejtimit të Ardian Memës është se nuk di të administrojë rezultatin. Ashtu si në ndeshjet e mëparshme, bardheblutë kanë shënuar të parët, por në fund të lojës kanë dalë kokulur nga fusha e lojës.
Bardheblutë shënuan me anë të Sentamu me gjuajtjen e parë në portë dhe dukej sikur kishin gjithçka në kontroll në pjesën e parë, pasi edhe gjirokastritet nuk po gjuanin në portë.
Por në pjesën e dytë, loja u hap plotësisht dhe dy skuadrat sulmuan më hapur. Nga kjo përfitoi ekipi gjirokastrit, i cili barazoi falë penalltisë së Shkurtajt e më pas me ngulm kërkoi dhe gjeti golin e dytë me anë të Dungës pak minuta para fundit të ndeshjes, duke dalë nga fusha e lojës me tre pikë që e largojnë edhe më shumë nga zona e ftohtë, pranë të cilës mbeten ende bardheblutë.