Gjirokastër, Mimoza Çomo nuk pret vendimin e Apelit, dorëhiqet nga posti i kryetares së Këshillit Bashkiak
Pas rreth 4 muajsh në krye të Këshillit Bashkiak Gjirokastër, Mimoza Çomo ka dorëzuar sot postin që mbante te Vjollca Koko. Në mbledhjen e kaluar të Këshillit Bashkiak Gjirokastër, këshilltarët e PD-së këmbëngulën se nuk do ta lëshonin postin e kreut të këshillit, pasi prisnin vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila do të vlerësonte ligjshmërinë e zgjedhjes së Vjollca Kokos. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe vetë Mimoza Çomo, e cila ishte zgjedhur për pak kohë në krye të këshillit me votat e PD-së dhe LSI-së. Por në mbledhjen e sotme është përmbysur gjithçka. Befas Mimoza Çomo dorëzoi postin, pa pritur më parë vendimin e Gjykatës së Apelit sikundër u tha në mbledhjen e shkuar. Ajo vendosi kështu të respektojë vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, që njeh Vjollca Kokon si kryetare këshilli. Mbetet për t’u parë nëse do të shumica e re do të shkarkojë apo jo edhe sekretarin Spartak Drasa, i cili është zgjedhur si përfaqësues i PD-së.