Gjirokastër, një familje jeton në WC dhe pa ndihmë ekonomike. Bejko: Rama i urren shqiptarët!
Kreu i PD Gjirokastër, Roland Bejko ka qenë sot në familjen Tahiri, e cila nuk është përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike. Kjo familje jeton prej vitesh në një godinë të braktisur, e cila dikur shërbente si banjë publike e Gjirokastrës. Duke folur për mediat, Bejko tha se ky është një mjerim i vërtetë. Sipas tij ndërprerja e ndihmës ekonomike nga qeveria, është strategji e mirëfilltë e kryeministrit Edi Rama.
‘Për mendimin tim, këtu s’ka asgjë më shumë sesa një urrejtje që ka kryeministri për qytetarët shqiptarë dhe sidomos për të varfërit. Kjo është pjesë e strategjisë që t’i bëjë shqiptarët të ikin sa më shumë nga ky vend dhe përfundimisht në Shqipëri të ngelen vetëm miqtë e Edi Ramës dhe tarafi i tij”, tha Bejko.
Më tej ai u shpreh se do të kërkojë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që qytetarët e lënë jashtë skemë të përfitojnë nga fondi 6% që qeveria u ka vënë në dispozicion të bashkive, pikërisht për ato familje që nuk fituan nga sistemi me pikëzim.