Gjirokastër, pas 2300 vitesh Mbreti Pirro “rikthehet” në qytetin antik të Antigonesë (VIDEO)
Pas 2300 vitesh Mbreti Pirro “rikthehet” në Antigone, një qytet antik në Luginën e Drinos në Gjirokastër. Por këtë radhë nga një trupë teatrore.
Tragjedia “ Pirro” u luajt mes mureve antikë dhe ishte e para shfaqje në këtë qendër arkeologjike. Regjisori Ilir Lluri tha se “tragjedia i qëndronte shumë mirë skenës natyrale të Antigonesë”. Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami tha se “ishte sprova e parë në Antigone dhe të tilla mjedise duhet të gëlojnë nga shfaqjet”.
Në Shqipëri ka pak vepra për figurën historike të Pirros i cili ishte mbreti i Epirit në mes të vitit 306 dhe 302 para Krishtit. Pirro thirrej “shqiponjë” nga ushtarët e tij dhe u bë i famshëm kur në vitin 280 para Krishtit kaloi ngushticën e Otrantos me 20 000 këmbësorë, 3 000 kalorës dhe rreth 200 elefantë, për të luftuar kundër Romës, e cila rrezikonte qytetin e Tarantos.
Pirro njihej si krijues i Federates epirote dhe në krye të ushtrive të përbëra nga molosët, thesprotët dhe kaonët, Pirro arriti fitore me sakrifica kundër ushtrive romake. Ai themeloi në Luginën e Drinos në Gjirokastër Antigonenë, qytet që ia dedikoi gruas së tij Antigonës. Studiuesit e vlerësojnë qytetin antik të lindur nga dashuria, për gruan Antigonën ,dhe të djegur nga urrejtja, nga sulmi me zjarr i romakëve.