Gjirokastër, reparti i Dializës pa mjek specialist, pacientët të shqetësuar
Reparti i Dializës në spitalin rajonal të Gjirokastrës, edhe pse funksionon prej 9 vitesh nuk ka ende një mjek specialist. Shqetësimi ngrihet nga rreth 30 pacientë që marrin trajtim në këtë repart. Problemi pranohet edhe prej drejtorit të këtij spitali, Armand Mamani, i cili në një intervistë për Tv Gjirokastra, shprehet se nuk ka mjekë të rinj të specializuar në këtë drejtim, që duan të punësohen pranë këtij spitali.
“Pavarësisht mungesës së mjekëve, shërbimi kryehet mirë, duke qenë se kemi një staf infermieror të përgatitur, që e kemi shtuar për të mbuluar edhe këtë mungesë të mjekut. Besoj se edhe nga pacientët ka pasur vlerësime maksimale për punën e tyre”,- thotë Mamani.
Spitali rajonal “Omer Nishani” trajton pacientë nga i gjithë qarku i Gjirokastrës dhe është më i madhi në jug të vendit, por megjithatë ka ende mungesë të disa mjekëve specialistë.