Gjirokastër, shembet muri rrethues në kishën e fshatit të Fatos Nanos
Kisha ortodokse e Shën Gjergjit në fshatin Nokovë të Gjirokastrës, rrezikon shembjen, pas rrëzimit të murit anësor të saj. Alarmi jepet nga kryeplaku i fshatit, Anest Shupuli si dhe nga banorët e tij, të cilët janë të shqetësuar për fatin e mëtejshëm të objektit 200-vjeçar të kultit.
Kryeplaku i fshatit, Anest Shupuli, ka kërkuar ndihmën e mënjëhershme të Ministrisë së kulturës, pasi koha e keqe me shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje mund të dobësojë më tej themelet e Kishës.
“Ishte ora dy i natës, dëgjova një zhurmë. Erdha me vrap, pashë që ishte rrëzuar muri. Njoftova menjëherë institucionet përkatëse”, thote Anest Shupuli, kryeplak i fshatit Nokovë .
Kisha e Shën Gjergjit, monument kulture i kategorisë së parë, daton në shekullin e 19 dhe konsiderohet si objekt i trashëgimisë kulturore. Deri më sot, ajo mbahet në këmbë nga investimet e pjesshme që kanë realizuar banorët e fshatit.