Gjirokastër, shtëpia 200-vjeçare e Karagjozëve drejt shkatërrimit
Shirat e rrëmbyeshëm të dy ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme në disa prej banesave karakteristike në qytetin e Gjirokastrës. Mes të tjerash, moti i keq po rrënon shtëpinë e gurtë të familjes Karagjozi në lagjen “Dunavat”, monument kulture i kategorisë I. Banesa e gurtë e Karagjozit, megjithëse aktualisht e braktisur, cilësohet si një ndër shtëpitë tradicionale më të veçanta të Gjirokastrës. Gjatë këtyre ditëve moti i keq ka ravijëzuar më tepër hartën e plasaritjeve dhe çarjeve në muret e gurta të banesës, ndërkohë që shirat kanë rrëzuar një pjesë të çatisë.
Duket se për shkak të mungesës së investimeve restauruese dhe mirëmbajtjes së saj, ajo që dikur është cilësuar nga specialistët si një ndër banesat me vlerë, rrezikon të rrënohet plotësisht. Ndërsa ecën në avllinë e gurtë të banesës, midis pirgjeve të suvasë së rrëzuar nga shirat e fundit, Shaqe Karagjozi, një e moshuar që kujdeset aktualisht për shtëpinë e braktisur, tregon dhimbjen që ndien ndërsa shikon se shtëpia me moshë rreth 200- vjeçare, e ndërtuar me mjeshtëri, rrezikon të shembet dita-ditës.
“Nuk më dhimbset thjesht si shtëpi, por mendoj se banesa e gurtë e familjes Karagjozi përbën një prej shtëpive karakteristike gjirokastrite me vlera të veçanta”, shprehet ajo për gazetën “Panorama”, ndërsa mundohet të rregullojë disi avllinë e shtëpisë të mbuluar nga pllakat e rrëzuara nga çatia. Edhe pse jeton në një banesë tjetër, ajo vjen vazhdimisht në këtë shtëpi për t’i hedhur një sy apo për ta mirëmbajtur disi.
E moshuara ecën mes kolonave të gurta të avllisë së shtruar me pllaka të zeza, ndërkohë që hedh vazhdimisht vështrime plot dhimbje në drejtim të shtëpisë së gurtë. Ajo flet me dashuri se si të parët e familjes rreth fillimit të shekullit të 18 e ndërtuan këtë shtëpi trekatëshe e tëra me gur të skalitur apo dru të gdhendur. Ishte pikërisht kjo arkitekturë dhe mënyra ndërtimore, e cila bëri që kjo banesë për vite të tëra të tërhiqte vizitorë.
Ndërkohë që, me gjithë gjendjen e saj të amortizuar, vazhdon të tërheqë turistë të huaj. Si shkak i lagështisë së dimrit, tavanet e drunjta me rozeta të gdhendura me motive floreale kanë filluar të dëmtohen, ndërsa përhapin një erë të rëndë myku. Si shkak i çatisë së amortizuar, reshjet e shiut kanë nisur të dëmtojnë tavanet dhe dyshemetë e banesës të punuara apo të gdhendura në dru. Për mirëmbajtjen dhe shpëtimin e saj nga rrënimi, është i domosdoshëm bashkëpunimi i pronarëve me shtetin./Panorama