Gjirokastër, vdes 93-vjeçarja, arrestohen për vrasje djali dhe nusja

92246500_92253300

Një 66-vjeçar nga Gjirokastra ka përfunduar në pranga, pasi dyshohet se në bashkëpunim me bashkëshorten e tij ka vrarë nënën e tij 93-vjeçare. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku dje bënë me dije, se ngjarja ku humbi jetën e moshuara Bukurie Aliko ka ndodhur më 10 tetor të këtij viti, në fshatin Luzat. Fillimisht, të afërmit e viktimës kanë deklaruar se viktima ka pësuar vdekje natyrale. Disa ditë pas varrimit, ka qenë vajza e 93-vjeçares, e cila ka denoncuar në polici për rrethanat e dyshimta të vdekjes së nënës së saj. Pas hetimeve paraprake, blutë kanë ngritur dyshime për një vrasje të mundshme të 93-vjeçares, ndaj mesnatën e së dielës kanë arrestuar Sharaf Alikon dhe gruan e këtij të fundit, Donika Aliko, 59 vjeçe. Ndërkohë, burimet e mësipërme sqaruan se ditën e djeshme është bërë zhvarrimi i së moshuarës si dhe i është bërë akt-ekspertiza, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes së saj. Në lidhje me këtë ngjarje, po hetohet në gjendje të lirë dhe një mjeke e spitalit të Gjirokastrës, shkruan sot Gazeta Shqiptare. 

NGJARJA
Më 10 tetor, ish-punonjësi i Pyjores në Gjirokastër, Sharaf Aliko ka njoftuar të gjithë të afërmit e të njohurit për vdekjen e nënës së tij 93-vjeçare. Sipas hetuesve të çështjes, 2-3 ditë pas varrimit të së moshuarës, djali i saj ka shkuar në spital dhe ka kontaktuar me 51-vjeçaren me inicialet E.H., me profesion mjeke. Mësohet se 66-vjeçari i ka kërkuar mjekes një vërtetim se nëna e tij kishte pësuar vdekje natyrale. Mjekja, nisur dhe nga mosha e së ndjerës, ka lëshuar vërtetimin që i duhej 66-vjeçarit për ta paraqitur në Gjendjen Civile për çregjistrimin e 93-vjeçares. Rrethanat e vdekjes së Bukurie Alikos nuk do të ishin zbardhur, nëse i biri nuk do të “rrëfehej” tek e motra. Burimet e mësipërme deklaruan se 15 ditë pas varrimit të së moshuarës, Sharaf Aliko ka takuar të motrën dhe i ka thënë se nëna e tyre nuk vdiq, por u vetëvar.