Gjirokastër, vetëm dy vajza në shkollën ‘Thoma Papapano’
Rritet me 8% numri i nxënësve që frekuentojnë këtë vit mësimor shkollën e mesme profesionale “Thoma Papapano” në Gjirokastër. Renata Puleri drejtoreshë e kësaj shkolle, pohon per News 24, se pas tre vitesh ndërprerje, në këtë shkollë rihapet dega e teknologji informacioni dhe komunikimi pas kërkesës në rritje të nxënësve për këtë degë.
Problematikë e mbartur për të vetmen shkollë profesionale në jug të vendit, mbetet sërish frekuentimi i saj nga femrat. Për këtë vit shkollor në këtë shkollë studiojnë vetëm dy vajza. Sipas Pulerit arsyeja kryesore mbetet mentaliteti i prindërve.
Në shkollën e mesme profesionale “Thoma Papapano” studiojnë 200 nxënës nga i gjithë rajoni jugor, ndërsa po synohet që kjo shkollë të kthehet në elitën e dikurshme të shkollave.