Gjirokastra mes 4 qyteteve që janë varfëruar më shumë vitet e fundit
Albanian Enterprise Institute
Ka dy Shqipëri. Një pjesë që jeton në Tiranë dhe Durrës dhe pjesa tjetër. Sipas statistikave zyrtare, mesatarja e shpenzimeve mujore të qytetarëve shqiptar ishte 73.400 lekë në muaj dhe vetëm në Tiranë e Durrës familjet shpenzojnë më shumë se kjo mesatare. Pjesa tjetër e Shqipërisë duket se është varfëruar më shumë ose ka mbetur në vend vitet e fundit.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017 familjet që jetojnë në Dibër, Lezhë, Gjirokastër e Shkodër kanë pasur më pak para për të shpenzuar sesa në vitin 2014. Sipas të dhënave zyrtare familjet që jetojnë në qarkun Dibër janë prekur më shumë. Të dhënat tregojnë se një familje me katër anëtar që jeton në Dibër shpenzoi në 2017 vetëm 46.400 lekë në muaj ose 36% më pak se mesatrja kombëtare. Të dhënat tregojnë gjithashtu se nga viti 2014 deri në vitin 2017 familjet që jetojnë në këtë qark kanë mundur të shpenzojnë mesatarisht 19.000 lekë më pak në muaj se në vitin 2014. Po të njëjtin fat ka patur dhe qarku Shkodër ku familjet në këto katër vite kanë patur 3.000 lekë më pak të ardhura se katër vite më parë. Ndërkohë që Qarku Gjirokastër është prekur akoma më shumë me një vlerë prej 12.000 lekë më pak për të shpenzuar.
Përveç këtyre të dhënave ajo që vihet re është polarizimi i Shqipërisë ku tendenca është që pasuria të përqëndrohet vetëm në zonën Tiranë Durrës. Në vitin 2009 ishin pesë qarqe në Shqipëri që kishin të ardhura mbi mesataren kombëtare (Tiranë, Shkodër, Lezhë, Gjirokastër e Fier). Ndërkohë që në vitin 2017 vetëm Tirana dhe Durrësi kishin të ardhura më të larta se mesatarja kombëtare.
Lajmi më i keq duket se është për qytetin e Elbasanit që në 10 vitet e fundit është qyteti që është varfëruar më shumë nga të gjitha qytetet. Të dhënat tregojnë se një familje në vitin 2007 shpenzonte mesatarisht 65.000 lek në muaj kurse në vitin 2017 një familje shpenzonte vetëm 57.800 lekë ose 12% më pak. Sot në Elbasan familjet shpenzojnë më pak se mesatarja kombëtare. Ndërkohë që zona që ka njohur rritjen më të madhe të shpenzimeve është Korça, e cila ka 13.000 lekë më shumë në muaj. Kjo vjen pas vëmendjes së rritur të qeverisë për të investuar më shumë në këtë rajon të Shqipërisë. Kryeministri Rama në vitin 2012 pretendonte se do ta përgjysmonte varfërinë në vend në dy vitet e para të qeverisjes së tij.