Gjirokastra një nga 4 bashkitë që do të përfitojë prej programit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) në fushën e turizmit, gjatë vitit 2019, do të vazhdojë implementimin e një programi 4-vjeçar “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” me një fond investimi prej 65 milionë euro.
Drejtori i FSHZH, Benet Beci gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2019 në qytetin e Vlorës bëri të ditur se, programi parashikon rigjallërimin e trashëgimisë kulturore dhe parqeve natyrore në bashkitë Gjirokastër, Berat, Përmet e Sarandë.
“Këtu do të përfshihen edhe ndërhyrje për përmirësimin e integruar urban në zemër të këtyre qyteteve, si shëtitorja e Sarandës dhe rehabilitime në qendrat historike të Gjirokastrës dhe Beratit”, – tha ai.
Ndërsa vuri në dukje se, gjithashtu do të ndërhyhet edhe në disa pika turistike si Porto Palermo, Syri i Kaltër, Zvërneci dhe në parkun arkeologjik të Orikut.
“Fondi Shqiptar i Zhvillimit i ka të gjitha kapacitetet dhe vullnetin për ta kthyer këtë buxhet në investime cilësore, që nxisin rritjen e ekonomisë dhe punësimin”, – deklaroi Beci.