Gjirokastra, qendër me rëndësi në zhvillim e turizmit e trashëgimisë kulturore
Gjirokastra e njohur më shumë si “Qyteti i Gurtë”, është sot një qendër me rëndësi në zhvillim e turizmit të trashëgimisë kulturore. E përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2005, si një nga pak shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit otoman, vlerat e kësaj trashigimie marrin një rëndësi historike.
Një shëtitje nëpër rrugët e kalldrëmta që kacavirren rreth pazarit tradicional i kthen vizitorët menjëherë mbrapsht në histori. Një vizitë në kalanë madhështore të shekullit XIII i sjell të gjalla tregimet aventurore të sundimtarëve mesjetarë dhe mizoritë e kohës së komunizmit.
Në një publikim të faqes zyrtare të Bashkisë Gjirokastër, thuhet se ky qytet ka aq shumë gjëra interesante në brëndësi por edhe rreth saj, Duke qëndruar në një nga shtëpitë e vjetra të kthyera në hotele e bujtina, çdo vizitor arrin të sigurojë një bazë të mrekullueshme për të eksploruar rajonin.
E vendosur në Shqipërinë jugore, Gjirokastra qëndron në shpatet e pjerrëta të luginës së lumit Drino, në një pozicion mbisundues mbi një peizazh të pasur me histori, kufijtë e të cilit përvijohen nga maja malesh të larta. Ky është “qyteti i një mijë shkallëve” që përfshin qindra shtëpi-kullë të tipit otoman me çatitë dalluese të gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta herë-herë të zbardhura me gëlqere.
E mbisunduar nga ana e vet prej kalasë madhështore që ngrihet mbi një kodër të thiktë, Gjirokastra është një qytet magjik me një të shkuar të trazuar. Nga bastion i feudalizmit në xhevahir otoman më pas në qendër e rëndësishme e pushtuesve fashistë italianë, qyteti ka njohur shumë sundimtarë dhe ka frymëzuar shumë poetë, shkrimtarë dhe artistë.
Faqja zyrtare e Bashkisë Gjirokastër është krijuar dhe përditësohet nga Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës, me mbështetjen e Packard Humanities Institute /Atsh