Gjykata vendos të bllokojë ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosë
Gjykata Administrative vendosi sot ndalimin e punimeve për hidrocentralin e Poçemit në Vjosë duke u dhënë të drejtë banorëve që protestuan.
Banorët e Luginës së Vjosës protestuan disa herë për dhënien e koncesionit të Hidrocentralit te Poçemit mbi lumin Vjosë. Në një protestë të vitit të kaluar, grupe banorësh bllokuan segmentin e rrugës kombëtare që lidh Levanin me Tepelenën, duke kërkuar nga qeveria që të anulojë planet për ndërtimin e Hidrocentralit.
“Zëri i Amerikës” raportoi se, policia ndërhyri për të zhbllokuar rrugën, por pa pasur përplasje me protestuesit. Banorët thonë se tokat me të cilat ata sigurojnë të ardhurat për familjet përmbyten nga ndërtimi i digës, ndërsa zona pëson dëmtime të mëdha. Kompania turke që ka fituar koncesionin për ndërtimin e Hidrocentralit të Poçemit në lumin e Vjosës ka nisur punën për projektimin e digës, por banorët e zonave përreth e kanë kundërshtuar këtë hap.
Autoritetet shqiptare të Ministrisë së Energjisë e shpallën më 2016 vendimin për dhënien me koncesion 35-vjeçar për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, në rrjedhën e poshtme të lumit Vjosa, te një kompani turke. Sipas projektit, Hidrocentrali i Poçemit parashikohet të ketë fuqi të instaluar prej 99.5 më, dhe prodhim vjetor prej rreth 305 milionë këh. Nëse ndërtohet, Poçemi do të bëhet hidrocentrali i dytë më i madh i dhënë me koncesion për nga niveli i prodhimit, pas projektit të Kaskadës së Devollit.
Sipas kompanisë turke që fitoi koncesionin, ndërtimi i këtij hidrocentrali do të kushtojë rreht 101 milionë euro. Hidrocentrali i Poçemit është një nga 8 hidrocentralet e parashikuara në Lumin Vjosë. Sipas një koalicioni të gjerë të Organizatave Mjedisore ndërtimi i digave në Poçem dhe Kalivaç si dhe hidrocentraleve të vegjël në degët e Vjosës si Lengaricë, Bënçë, Shushicë, Kardhiq, Picar etj, do t’i jepte fund vizionit për një Park Kombëtar në rrjedhën e Vjosës.
Parlamenti Europian i ka kërkuar kohët e fundit qeverisë shqiptare të rishikojë projektet hidroenergjetike përgjatë lumit Vjosa dhe degëve të këtij lumi dhe të hartojë Planet e Ndikimit në Mjedis përpara se projektet të vihen në zbatim. GSh.al