Grabitje me maska në Dropull, hajdutët futen në shtëpinë e dy grave të moshuara në Terihat
Një banesë ka rënë pre e grabitësve gjatë natës në fshatin Terihat te Dropullit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30. Nga të dhënat e para mësohet se autorët kanë qenë tre persona të paskuar, ende të paidentifikuar nga policia.
Dyshohet se ata kanë marrë një valixhe brenda së cilës kishte rreth 1500 euro. Në shtëpi jetonin dy gra të moshuara, të cilat ata i mbyllën në një dhomë të shtëpisë. Banesa ishte në pronësi të shtetasit Vasil Basha. Grabitësit kishin maska dhe ishin të armatosur.
Njoftimi paraprak i policisë
“Rreth orës 03:30, në fshatin Terihat, Bashkia Dropull, persona ende të paidentifikuar, kanë hyrë në banesën e shtetasit V.B., ku ndodheshin dy të moshuara dhe kanë marrë një sasi parash dhe janë larguar. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, ku vijojnë veprimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, shkruan Policia.