Greqia vendos në mars për devijimin e njëanshëm të rrjedhës së Vjosës
Këshilli i shtetit grek ose Gjykata Supreme Administrative në shtetin fqinj, do të vendosë në muajin mars për fatin e lumit Vjosa që kalon në Shqipëri. Kjo gjykatë ka në dorë fatin e Lumit Vjosa, veçanërisht për pjesën shqiptare. Gjykata do të vendosë në mars nëse lumi Vjosa do devijohet ose jo dhe nëse kjo ndodh, lumi do devijohet drejt Liqenit të Janinës duke e “zhdukur” rrjedhën e tij në pjesën shqiptare, që është edhe gjatësia më e madhe e lumit.
Në seancën e fundit mes palëve avokati i qeverisë greke, bëri një deklaratë që mund të fshehë një aferë të rëndë në dëm të interesit kombëtar. Sipas avokatit Ministria e Jashtme shqiptare e drejtuar nga Aldo Bumçi, është informuar në korrik të 2013 dhe se argumenti i paditësve se nuk është informuar pala shqiptare nuk qëndron. Avokati ka nënvizuar se qeveria e atëhershme shqiptare është njoftuar me anë të një letre zyrtare, por letra është refuzuar të publikohet nga avokati në sallën e gjyqit.
Vendimet e qeverisë greke janë marrë një në 8 korrik 2013 nga 9 ministri greke dhe një në datën 4 shtator 2013 nga Këshilli Kombëtar grek për menaxhimin e lumenjve, ku është parashikuar devijimi i lumit Vjosa në qarkun e Epirit.
Deputeti i Partisë Socialiste Besnik Baraj duke folur për A1Report, thotë se duhet një reagim i qartë nga autoritetet shqiptare dhe nga Ministria e Jashtme për të mbrojtur interesin kombëtar, pasi një projekt që ka efekte zinxhir në Shqipëri, nuk mund të merret pa dakordësinë e Tiranës zyrtare.
“Ne duhet të bëjmë pjesën tonë, i takon të gjitha institucioneve shtetërore përfshi dhe parlamentin të luaj rolin e vet në këtë drejtim, minimalisht të ketë informacionin e domosdoshëm dhe të dobishëm e cila garantohet nga vetë konventa e Espos dhe që ne të mbajmë qëndrimin përkatës pastaj ku ekspertët dhe politik bërësit dhe institucionet përkatëse qeveritare të luajnë atë rol që duhet të luaj në këtë rast në mënyrë që të mbrojmë interesat e palës shqiptare, sigurisht jo në kurriz të palës greke, por dhe ata kurrësesi nuk është e drejtë që të marrin vendime në kurriz të palës shqiptare.” – tha Baraj
Baraj hedh poshtë edhe një tjetër pretendim të qeverisë greke, se në Shqipëri nuk ka autoritet që merret me çështjen e ujërave, prandaj nuk ka pasur kërkesa për trajtim të hollësishëm të devijimit te Vjosës. Sipas Barajt në Shqipëri janë disa institucione që merren me ketë çështje. Deputeti socialist shkon më tej, duke argumentuar se nëse Gjykata Supreme nuk refuzon projektin, ky do të jetë një precedent i rrezikshëm, i shkeljes së ligjeve dhe konventave ndërkombëtare që dy vendet kanë firmosur.
“Së pari njëherë shkelen ato ligje për të cilat, qoftë Greqia qoftë Shqipëria dhe shumë vende të tjera jënë palë, gjë që sjell një precedent shumë negativ i cili mund të pasojë me zhvillime të tjera, qoftë në palën shqiptare ku mund të dëmtohet pala greke dhe anasjelltas, gjë që nuk rregullon atë frymë bashkëpunimi dhe atë klimë marrëdhënies të fqinjësisë së mirë. Gjë që është do thosha e patolerueshme dhe unë nuk besoj që pala greke do të marri një vendim i cili shkel këtë aspekt kaq të rëndësishëm ndërkombëtar, juridik dhe hyn në konflikt me një të drejtë legjitime të palës shqiptare. Pasi në jëmi në të gjithë të drejtën juridike ndërkombëtare për ta kundështuar këtë projekt“. – tha deputeti Baraj.
Vendimi për devijimin e lumit Vjosa është marrë nga 9 ministri Greke, dhe nga Këshilli Kombëtar i Ujërave. Qëllimi i devijimit është ndërtimi i një hidrocentrali me kapacitet të lartë prodhues. Në padinë e ngritur nga organizatat joqeveritare argumentohet se në radhë të parë janë shkelur ligjet ndërkombëtare pasi ky është një lum që kalon në 2 shtetet dhe pala shqiptare nuk është pyetur me argumentimin se nuk janë zgjedhur përfaqësuesit e institucionit të Këshillit Kombëtar të Menaxhimit të Ujërave dhe pushteti lokal nuk funksionon. Gjithashtu në padi thuhet se devijimi i lumit, krijon edhe probleme të mëdha natyrore, me florën dhe faunën e zonave ku kalon.
Edhe në Shqipëri ka pasur reagime të forta të ambientalistëve dhe shoqata për mbrojtjen e Vjosës, që i kanë kërkuar qeverisë shqiptare reagim sa më të shpejt. Lumi rrjedh nga malet e Pindit në lindje të Janinës, kurse burimi gjendet në malin Mavrovouni.
Rrjedha e tij vazhdon në drejtim të veriperëndimit për në Shqipëri.
Lumi ka një gjatësi prej rreth 272 km, prej të cilave 80 km në territorin e Greqisë, kurse rreth 192 km brenda territorit të Shqipërisë. Ekspertët e mjedisit thonë se devijimi i lumit do të sillte pasoja katastrofale për ekosistemin shqiptar. Madje sipas tyre një veprim i tillë do te ishte i dëmshëm për bujqësinë në zonën e Myzeqesë, pasi do të thante gjithë kanalin Vjosë-Levan-Fier, duke shkatërruar sistemin e vaditjes në zonën e Fierit dhe Lushnjes. Prurjet mesatare në grykëderdhje janë rreth 204 m³/s. Në muajin prill prurja është rreth dhjetë herë më e madhe se në gusht. Devijimi i Vjosës ka krijuar shqetësime edhe në Greqi, ku një eurodeputet grek e ka çuar çështjen edhe në Parlamentin Evropian.
Kërkesë për anulim është bërë nga:
1. E WWF HELLAS me qender ne Athine
2. E Entit te menaxhimit te parqeve kombetare Vikos-Aoos dhe Pindit
3. E Shoqates ambjentaliste jufitimiprurese KALLISTO
4. E shoqates jofitimprurese MED-INA
5. E Bashkise Konice
1. Ministritë që kanë apvotuar projektin e devijimit. Ministrit te Mjedisit, Energjitikes dhe ndryshimeve klimatike
2. Ministrit te Jashtem
3. Ministrit te Financave
4. Ministrit te Brendshem
5. Ministrit te Zhvillimit dhe Konkurrences, infrastructures, Transportit dhe rrugeve.
6. Ministrit te Arsimit
7. Ministrit te cultures dhe Sportit
8. Ministrit te Shendetit
9. Ministrit te Zhvillimit Bujqesor dhe ushqimeve