Grupi i prostitucionit në Gjirokastër, policia zbulon emrat e të arrestuarve
Policia e Gjirokastrës jep më shumë detaje rreth operacionit të mbrëmshëm, ku u godit një grup për ‘shfrytëzim prostitucioni’. Të arrestuar janë tre persona; dy femra dhe një burrë. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, pas një hetimi disa mujor kanë bërë të mundur dokumentimin ligjor të një rasti të shfrytëzimit të femrave për prostitucion. U arrestuan në flagrancë shtetaset: Vasilika L, 46 vjeçe, banuese në Gjirokastër dhe E.A, 34 vjeçe, banuese në Gjirokastër.
Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi: Vladimir Koleta, 50 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Shtetësja Vasilika L, në rolin e organizatores dhe ndërmjetëses kishte një lokal në qytetin e Gjirokastrës. Ajo ndërmjetësonte me klientët që frekuentonin lokalin e saj duke siguruar lidhjet e tyre me shtetasen E.A. kundrejt shumave të ndryshme. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3000 lekë dhe 5 telefona celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.