“Grupi i zjarrit” në Lazarat, në gjykim 16 persona
Prokuroria për Krime të Rënda përfundon hetimin dhe dërgon për gjykim 16 personat e “grupit të zjarrit” në Lazarat, të akuzuar për veprat penale të “kultivimit të bimëve narkotike”, “prodhimit dhe shitje të narkotikëve”, “kundërshtimit të punonjësit të policisë”, “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” në kuadër të një “grupi të strukturuar kriminal”. Këta 16 persona akuzohen se kanë kryer veprat penale në një kohë të gjatë, si edhe gjatë ndërhyrjes policore për të rivendosur rendin në Lazarat e për të asgjësuar parcelat e mbjella me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, bazuar edhe në materialet e referuara nga Policia e Shtetit, janë krijuar dyshime të arsyeshme se këta shtetas, krahas prodhimit, kultivimit dhe shitjes së lëndës narkotike, janë përfshirë në veprime aktive me armë kundër forcave policore. Ky është grupi i parë i personave që dërgohen nga Prokuroria për Krime të Rënda në kuadër të grupit të strukturuar kriminal që ka vepruar në zonën e Lazaratit, ndërkohë që hetimi po vijon ende për të tjerë shtetas të përfshirë. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda dërgon dosjet e tyre për gjykim.
Këtij procedimi penal i janë bashkuar 180 materiale hetimore të referuara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, që lidhen me operacionin policor të zhvilluar nga data 15 qershor 2014 e në vijim gjatë këtij muaji, për rivendosjen e rendit në këtë fshat dhe kontrollin e territorit për lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundraligjshme. Këto veprime të policisë kanë hasur sërish në kundërshtimin me armë zjarri nga disa prej 16 të pandehurve në bashkëpunim me shtetas të tjerë për të cilët vijon hetimi.
Si epiqendër e kundërshtimit me armë zjarri u bë magazina e të pandehurit Razip (Gate) Mahmutaj, e cila për nga pozicioni ishte dominant në raport me lëvizjet e policisë së shtetit nga fshati Derviçan në drejtim të Lazaratit. Nga kjo pikë rezultoi se në mbështetje të tij erdhën afërsisht 40 persona të armatosur të cilët në orët e para të mëngjesit të datës 16 qershor 2014 bënë një rezistencë të armatosur prej disa orësh. Më pas, persona të ndryshëm përfshirë edhe disa prej të pandehurve u futën në brendësi të fshatit duke zënë pozicione të ndryshme, duke krijuar kështu vatra të ndryshme zjarri.
Kjo kundërshti me armë zjarri ka qenë më aktive gjatë datave 16-17 të muajit qershor 2014, por në mënyrë më pak agresive ka zgjatur edhe gjatë ditëve të tjera, deri rreth datës 21qershor 2014, ku policia e shtetit mori nën kontroll të gjitha rrugët e fshatit. Nga veprimet e ndërmarra prej të pandehurve në drejtim të kundërshtimit të policisë me armë zjarri rezulton se midis tyre ka një bashkëpunim jo rastësor, por të një niveli që për nga përmasa, pjesëmarrja dhe shtrirja plotëson konfigurimin e një bashkëpunimi të veçantë siç është ai i grupit të strukturuar kriminal.
Në këtë bashkëpunim spikat roli i të pandehurit Razip (Gate) Mahmutaj si motivues, organizator ndërsa i të pandehurve Arjan (Servet) Basha, Florjan Shurdhi, Ramadan Basha, Gurgaz Skënderi, Enrik Skënderi, Engliend Aliko, Matjas Bocai, Arbjon Aliko dhe Alfred Proko e shtetas të tjerë për të cilët vijon hetimi si mbështetës të tij. Pas arrestimit të të pandehurit Razip Mahmutaj në orët e vona të datës 17 qershor 2014 dhe avancimit të forcave të policisë në brendësi të fshatit, u bë e mundur fillimi i kontrollit të rrugëve, parcelave, banesave dhe ambienteve për rreth tyre për gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve të kundraligjshme. Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja dhe sekuesustrimi i mbi rreth 500 armëve të zjarrit, tonelatave me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, minucioneve luftarake, etj.
Edhe banesat e të pandehurve dhe hapësirat rreth tyre janë kontrolluar dhe janë sekuestruar sende të kundraligjshme si armë zjarri, lëndë narkotike, municione luftarake etj.
- Razip (Gate) Mahmutaj
- Arjan (Servet) Basha
- Florjan Shurdhi
- Ramadan Basha
- Altea Haska
- Gurgaz Skenderi
- Enrik Skenderi
- Englied Aliko
- Matjas Bocai
- Arbjon Aliko
- Alfred Proko
- Vandam Mahmutaj
- Klajdi Kareman
- Lorenc Bregu (Çobaj)
- Beqo Brahimi
- Drini Aliko (moskallëzim krimi)