Grupi polifonik i Libohovës, sot xhirohet klipi, nesër dalin në “provim”

16011092822_782360b9dd_oNdërsa pritet që Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës të mbahet në muajin prill, përgatitjet për këtë event kaq të rëndësishëm kanë hyrë tashmë në një fazë të re. Pas ngritjes së grupeve të punës në bashki e komuna, etnomuzikologë, folkloristë dhe specialistë të trashëgimisë kulturore ka bërë ekspedida përzgjedhëse të repertorit të mundshëm muzikor, poetik, koreografik etj.

Sot dhe nesër do të zhvillohet faza përzgjedhëse e grupeve që do të marrin pjesë në këtë festival. Edhe grupi polifonik i Libohovës, pas disa kohësh përgatitje nesër do të japë “provimin” përpara specialistëve të folklorit. Udhëheqës artistik i grupit është regjizori Petrit Ruli, ndërsa mësohet se do të konkurrojnë me katër këngë. Sot pasdite do të realizohet një video-klip, ku grupi do të interpretojë me veshjet popullore. Nëse grupi polifonik i Libohovës do të kalojë nesër fazën përzgjedhëse, ky është rast i mirë për përfaqësimin e Libohovës në Festivalin Folklorik Kombëtar, ndërkohë që kujtojmë se në festivalin e vitit 2009 nuk kishte përfaqësim fare.

Përgatitje serioze për këtë ngjarje të madhe kulturore janë bërë në të gjitha qarqet e vendit, ku edhe njëherë u evidentuan shumë vlera folklorike të thesarit të trashëgimisë kulturore shqiptare, të përcjella me dashuri dhe respekt brez pas brezi. © libohovaonline.com