“Hajdutët e energjisë elektrike”, dy të arrestuar në Gjirokastër
Policia e Gjirokastrës në kuadër të operacionit “Hajdutët e Energjisë Elektrike” vuri në pranga dy persona dhe shpalli në kërkim një tjetër.
Gjatë ditës së djeshme u bë arrestimi në flagrancë i 40 vjeçarit nga Lazarati Sajmir Basha, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e punonjësve të OSHEE, në bashkëpunim me punonjësit e policisë në banesën e tij janë gjetur dy lidhje për marrjen e energjisë elektrike, ku njëra prej tyre ishte e paligjshme.
Po dje nisi procedimi penal dhe u shpall në kërkim 43 vjeçari nga Lazarati, Artan Meçi. Gjatë kontrollit në vendin e quajtur “Ish-Pulari”, Lazarat është konstatuar një transformator privat i energjisë elektrike, në pronësi të 43 vjeçarit, i cili ishte lidhur në mënyrë të paligjshme dhe nuk ishte rregjistruar në sistemin e OSHEE-së.
Në vijim u bë arrestimi në flagrancë i 50 vjeçarit Jorgaq Dhjakoni, banues në Gjirokastër, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e punonjësve të OSHEE dhe policisë në lokalin e tij në vendin e quajtur “Ura e N.SH.N”, Gjirokastër, ka prishur matësin e energjisë elektrike duke vjedhur energjinë për të furnizuar biznesin e një shoqërie ku Dhjakoni është administrator i saj. Për rrjedhojë Basha, Meçi dhe Dhjakoni po ndiqen penalisht për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”