Hani i dikurshëm në Gjirokastër bëhet hotel, inagurohen Sarajet 1821 (FOTO)
Ndërkohë që këto ditë të Festivalit Folklorik Kombëtar, të sigurosh akomodim në Gjirokastër është shumë e vështirë për shkak të fluksit të lartë të turistëve dhe festivalistëve, një hotel i ri është inaguruar dy ditë më parë. Në lagjen “Varosh” ka hapur dyert investimi më i ri në qytet, “Hotel Sarajet 1821”. Përtej faktit që i shtohet ofertës akomoduese të Gjirokastrës, hoteli ka dy elementë shumë të veçantë.
E para, ndërtesa është një shtëpi e vjetër e ndërtuar në vitin 1821 e që ka shërbyer si han deri në kohën e Luftës së Dytë Botërore. E dyta, ndërhyrja për ta shndërruar në hotel ka ruajtur autenticitetin e objektit në pjesën më të madhe të elementëve. Kanë qenë kryesisht punime restauruese me kujdesin maksimal për të ruajtur fizionominë e dikurshme të shtëpisë.
Hoteli ka 7 dhoma dhe një oda të madhe sipas stilit gjirokastrit, me kushte shumë të mira dhe në një lokacion perfekt në qytet. Druri dhe guri janë dy elementët kryesorë në punimet jashtë dhe brenda hotelit. Pritshmëritë e këtij biznesi familjar janë tejet të larta duke parë perspektivën e turizmit në Gjirokastër. Ky sezon shënon deri më tani një numër shumë më të lartë turistësh nga e gjithë bota krahasuar me vitin e shkuar. Shihni më poshtë një galeri fotosh të hotelit.