Historia e Kryqit të famshëm te Labovës
Nga Gazmend Muka
Kryqi i Labovës, me sa kanë bërë të ditur rrethet studimore, duket se na konsulton një ikonografi paksa të zakonshme, e krahasuar kjo me kryqet e shumta të inventarizuara nga instuticionet tona kulturore në hapsirën shqiptare. Në tërësinë e tyre kryqet e ekspozuara në hapësirat tona muzeale dhe që ruhen në fondet shtetërore, apo në kishat respektive i përkasin periudhës pasbizantine. Kryqi i Labovës edhe pse përmbante një vend themelor në trevën e Labovës, si dhe në historinë e saj nuk ka gjetur deri tani, interesin e duhur nga studiuesit. Kjo, ndoshta edhe për faktin që në pjesën më të madhe të kohës ai mbahej i fshehur. Meqënëse emri i Labovës është i lidhur ngushtësisht me kryqin e saj, ku thuhet akoma dhe sot se ishte i pajisur me Drurin e Shenjtë ku u kryqëzua Krishti, fakt i cili përmendet edhe në Kronikën e Drianopojës, mendoj se kërkon një vëmëndje më të kujdesshme nga ana jonë.
Përgjatë sistemit politik socialist që mohoi zyrtarisht ritualet fetare, Kryqi i Labovës mbahej i fshehur, madje banorët e saj u detyruan të njihnin për variant emërtimi zyrtar të vendbanimit të tyre jo më emërtimin “Labova e Kryqit”, por Labova e Libohovës. Në një histori takimi të liderit komunist Enver Hoxha me disa fshatarë nga Labova e Kryqit, vëmë re se lideri e njihte si të tillë. Ai i pyet fshatarët se nga ishin, dhe ata i përgjigjen se ishin nga Labova e Libohovës, për ta dalluar atë nga Labova e Zhapës. “Jo – i thotë udhëheqësi – ju jeni nga Labova e Kryqit.” Ritheksimi nga ana e Enver Hoxhës i këtij Kryqi të rëndësishëm, në një kohë kur besimi ishte i ndaluar, lë vend për të nënkuptuar vlerat e tij. Vazhdimisht në periudhën socialiste, u tentua që kryqi të arkivohej në Muzeun Kombëtar apo në Arkivin e Shtetit, fat të cilin e pati dhe Kodiku i Purpurt (Beratinus ?), por banorët e Labovës së Kryqit nuk e pranuan një gjë të tillë. Në fundin e viteve 80, Kryqi me Drurin e Shenjtë ku u kryqëzua Krishti, u vodh. Qysh atëhere, nëpërmjet sponsorizimit të një shqiptaro – amerikaneje u bë një dublikatë e tij që lë mjaft për të dëshiruar për atenticitetin ikonografik me kryqin e vërtetë. Falë kontrolleve sistematike inventarizuese të kryer rregullisht nga Instituti i Monumenteve të Kulturës para viteve 90, si dhe punës së papërtuar të fotografit Zamir Marikaj, ne mund të kosultojmë plotësisht imazhin e Kryqit të Labovës në të dy anët e tij. Këto dy pamje të fiksuara në celuloid janë një nder i madh që i bëhet kulturës sonë materiale të munguar. Kryqi i Labovës është një punim e admirueshëm në argjend të larë me ar, e në të dy anët e tij paraqet skena ikonografike, ku njëra anë (verso) paraqet Pagëzimin e Krishtit me profetë nga Testamentit të Vjetër dhe ana tjetër (recto), Kryqëzimin e Krishtit me ungjillorët në Testamentin e Ri. Ai është një kryq ku gjuha heraldike e tij, nisur nga rapoti i kraheve, është latine.
Në skenën ikonografike të Pagëzimit të Krishtit të shoqëruar anash me profetët, njohim një plastikë paksa primitive në trajtimin e figurave. Krishti figurohet në mes të lumit Jordan duke qëndruar mbi një pllakë e ngjashme me siluetin e një libri të hapur. Pëllumbi që përfaqëson Shpirtin e Shenjtë ndodhet mbi kokën e tij. Krishti figurohet në propocione më të mëdha se figura e Joan Pagëzorit, vendosur në të djathtë të tij. Kjo skenë ikonografike e njohur si Theofania, paraqet elementët figurativë të trinitetit në formë të plotë. Jemi mësuar duke konsultuar skenën tradicionale ikonografike të Pagëzimit të Krishtit, të njohim në të figurimin e plotë të Krishtit, pëllumbit të Shpirtit të Shenjtë si dhe sipër tyre një diell që rezaton, apo një dorë që del prej tij si prezencë e Perëndisë At, duke formuar tre elementët figurativë të Trinitetit të Shenjtë. Ndryshe nga paraqitjet ikonografike tradicionale, në skenën e Pagëzimit të Krishtit të figuruar në Kryqin e Labovës, paraqitet bust në pjesën e sipërme vetë Perëndia At e figuruar me mitër në kokë, si kryeprift. Ai mban në dorën e majtë një borsë të mbushur, që shpreh figurativisht dhuratën për popullin e tij, formë kjo figurative e njohur gjerësisht në diptikët perandorakë. Perëndia At figurohet përballë, ndryshe nga e tre profetët e figuruar në krahët e tjera të kryqit. Po kështu, nëqoftëse tre profetët i gjejmë të figuruar brenda një rrethi të dyfishtë, Perëndia At paraqitet i veçuar prej tyre nëpërmjet alternimit të dy harqeve të sipërm dhe të poshtëm me madhësi të ndryshme, duke krijuar vend për vendosjen e dy kandilave në të dy anët e tij. Në ikonografinë bizantine dhe pasbizantine të zhvilluar ne Greqi, Armeni, Siri, Etiopi, Egjipt, nuk konsultohen në skenën e Pagëzimit, figurim të Perëndisë At në formë të plotë njerëzore, në disa raste prezenca e tij njoftohet më daljen e një dore nga lart. Ndërsa në artin ikonografik pasbizantin të zhvilluar në Shqipëri mund të gjejmë shembuj të tillë tek Onufri, Onufër Qiprioti etj.
Në krahun e djathtë të kryqit figurohet profeti – mbret, Davidi, i cili identifikohet dhe nga shkrimi në pjesën e sipërme të tij. Në krahun e majtë të kryqit nuk mund të lexohet, por mund të kemi profetin Isaia (Isak), të atin e Davidit, dhe në krahun e poshtëm të kryqit i identifikuar nga turbani ebre i figuruar në kokën e tij, i cili zakonisht përdoret në ikonografinë pasbizantine për të identifikuar profetin Daniel. Të tre profetët e figuruar në anët e kryqit me skenën e Pagëzimit të Krishtit në qendër të kryqit, dallohen nga ikonografia e Perëndisë At të figuruar në pjesën e sipërme dhe për pergamenët e hapura në dorën e majtë të tyre. Evidentojmë që ajo çka mban në dorën e djathtë profeti në pjesën e poshtme, paraqet nje formë paksa të veçantë.
Ikonografia e figuruar në skenën e Pagëzimit të Krishtit të Kryqit të Labovës të mahnit me të papriturat figurative që sjell. Qëndrimi primitiv në trajtimin dhe krijimin tipologjik të personazheve nga Testamenti i Vjetër në të, ofron një vlerë të veçantë. Figurimi i portretit të Krishtit si një kreshnik, apo bari me mustaqe të mëdha, nuk ndjek imazhin akeropite (greq: acheiropoíçtos – jo të pikturuar nga dora e njeriut). Ky trajtim ikonografik i kësaj skene lë të kuptosh që figurimi mund të jetë realizuar në një periudhë kur imazhi ikonografik i Krishtit nuk ishte standartizuar. Po kështu dhe portreti i Perëndisë At dhe profetit Isak paraqiten në këtë mënyrë. Ata shfaqen me mustaqe të trasha, si njerëz të vjetër, jashtë rregullave të figurimit antik apo bizantin. Kjo tregon që përfytyrimi i tyre mund të ketë marrë ngjyrime lokale apo subjektive nga ana e artistit që ka realizuar skenën. Një element tjetër i skenës së Pagëzimit të Krishtit që del nga skemat tradicionale, është mungesa e figurimit të dy maleve të ndara nga lumi Jordan, dhe e figurimit në vend të tyre të dy grumbullime resh të çara nga Shpirti i Shenjtë. Dhurata që ofron Perëndia At në ikonografinë e tij, shfaqet si një akt përkushtimor, një koncept ky i hasur gjerësisht në skenat përkushtimore perandorake. Futjen në rreth të dyfishtë të profetëve apo ungjillorëve në krahët e kryqit e gjejmë të përdorur qysh nga kryqi i dhuruar nga Justini i II(568-578) papës së Romës, deri në perudhën pasbizantine, ndonëse në motive rrethore më të ndryshme. Motivi i figurimit me një rreth të dyfishtë të imazhit e gjen burimin e tij tek sarkofagët e antikitetit të vonë. Por, edhe në diptiket perandorake të shek. V motive të tilla gjejnë vend në figurimin e aureolave. Është për t´u theksuar prania e dy kryqeve të vegjël me krahë të barabartë të fiksuara mbi një suport në formë globi(pengojnë paksa spinat në këndet për ta konstatuar plotësisht) në të dy anët e profetit të figuruar në krahun e poshtëm të Kryqit të Labovës. Prezenca e tyre simbolizon dominimin e Krishtit në botë, dhe njihen si kryqe perandorake. Ana tjetër e Kryqit të Labovës, ruan plastikën e skenës të përshkruar më sipër me përjashtim të ikonografisë qëndrore të Kryqëzimit, ku Krishti figurohet sipas imazhit tradicional akeropite(acheiropoíçtos). Në katër anët e saj vendosen imazhet simbolike të katër ungjillorëve të futur në rreth të dyfishtë. Në krahun e sipërm të kryqit kemi ungjillor Johanin të figuruar nëpëmjet simbolit të tij, shqiponjës.
Në krahun e djathtë ungjillor Markun që figurohet nëpërmjet simbolit të luanit. Në krahun e majtë të kryqit paraqitet ungjillor Mateu me simbolin e njeriut, ndërsa në krahun e poshtëm kemi ungjillor Llukën të figuruar me simbolin e kaut. Të gjitha imazhet simbolike të ungjillorëve paraqiten me krahë. Në të dy anët e kryqit paraqitet Maria dhe Johan Ungjillori. Figura e Shën Marisë e figuruar në gjysëmprofil, paraqet derdhje palash në të dy anët e mantelit të saj, siç jemi mësuar të shikojmë në paraqitje bizantine të hershme. Fushat e aureolave në raport me portretet e figuruara shfaqet mjaft e reduktuar me përjashtim të portretit të Krishtit të Kryqëzuar. Vetëm Perëndia At paraqitet pa aureolë, në ndryshim me tërë ikonografinë e personazheve të figuruar në Kryqin e Labovës. Reduktimi i hapsirës së aureolave në raport me portretet është karakteristikë në diptikët e periudhës së hershme bizantine.
Në skenën e Kryqëzimit, mbi Shën Marinë dhe Shën Johanin, figurohen dy ëngjëj, respektivisht në të dy anët e Krishtit nën krahët e tij. Ngritja e boshtit vertikal të kryqit direkt mbi kafkën e Adamit, si një fillesë organike e tij, del jashtë ikonografisë tradicionale. Kjo e fundit vështirë se mund të konsultohet në ndonjë imazh bizantin dhe pasbizantin në këtë mënyrë, ku zakonisht, kryqi figurohet i vendosur mbi një kodër të vogël që paraqet Golgothën, me kafkën e Adamit të paraqitur në një zgavër të saj, duke iu referuar rrëfimit profetik. Po kështu, figurimi i tokës ku ndodhet kafka e Adamit me breza, vështirë se mund të konsultohet në ikonografinë tradicionale të kësaj skene. Në figurimet simbolike të ungjillorëve, të tërheq vëmendjen që simboli i Johanit dhe Matheut e mbajnë ungjillin në duart e tyre të mbyllur, ndërsa luani, simboli i ungjillor Markut e mban ungjillin e tij të hapur. Goja e luanit figurohet si një gojë që flet, e ngjashme deri diku me imazhin e relivit të luanit që dekoron faqen e jashtme jugore të kishës së Shën Kollit në Mesopotam të Sarandës. Në ndryshim nga të gjitha simbolet e mësipërme, kau që figuron ungjillor Llukën, nuk mban ungjill në dorë dhe krahët e hapura i ka të jo të inçizuara. Madje anash tij vendosen dy kandilë siç i konstatuam më sipër kur përshkruam ikonografinë e Perëndisë At. Kjo mizanskenë ikonografike në portretizimin simbolik të ungjillorëve duket se shoqëron liturgjinë. Specifikime të tilla dalin nga krijimtaria standarte bizantine dhe pasbizantine, duke theksuar se realizimi i Kryqit të Labovës është një porosi e një rangu të lartë.
E parë në konteksin e zhvillimit të ikonografisë të krishterë paraqitja e ungjillorëve vetëm nëpërmjet simboleve të tyre është karakteristikë që shoqëron tërë periudhat e artit bizantin dhe pasbizantin. Në ikonografinë bizantine të vonë dhe atë pasbizantine, së bashku me simbolet e tyre paraqiten në shumë raste dhe vetë ungjillorët. Në krahët e kryqeve proçesionalë pasbizantinë i gjejmë ungjillorët të figuruar edhe pa simbolet e tyre.
Kryqi i Labovës konturohet me një bordurë paksa të trashë dhe pasurohet anash me motive floreale, duke i dhënë kryqit një konfiguracion të jashtëm tetëkëndor. Motivi floreal i aplikuar në të simbolizon Pemën e Jetës, e cila figurohet me imazhin e përsëritur të një luleje që nuk mbyllet kurrë. Pema e Jetës simbolizon mirqënien origjinale të Parajsës dhe në artin e krishterë figurohet një marrëdhënie e fortë midis Pemës së Jetës dhe Kryqit të Krishtit. Ky motiv në artin bizantin gjen një përdorim të gjerë, duke pësuar ndërlikime të tjera figurative. Në anën e Kryqit të Labovës ku paraqitet ikonografia e Pagëzimit të Krishtit, motivi floreal që simbolizon Pemën e Jetës futet dhe në krahun e sipërm të Kryqit ku është futur në rreth të dyfishtë shqiponja, simboli i ungjillorit Johan.
Mbi bazamentin e Kryqit të Labovës të tërheq vëmendjen një element dekorativ në formë kapiteli (nyja që lidh bazamentin me Kryqin), ku figurohen katër desh të punuar me mjeshtëri. Ndonëse fotografitë që ndodhen sot në duart tona nuk mund të japin një informacion shumë të qartë pamor, të lëvizjes së këtij elementi dhe marrëdhënies së tij ornamentike me motive lulesh gjashtëkëndore, si dhe motivit të një zemre të vendosur vetëm në një anë të tij. Megjithatë pas shumë zmadhimesh të imazhit, mahnitesh me përsosmërinë e realizimit të këtij kapiteli të gdhëndur në miniaturë ku fiksohet Kryqi i Labovës. Kokat e dashit të vendosura në katër pikat kardinale paraqesin altarin e sacrificës (motiv i përdorur nga ebrejtë, si dhe në periudhën paleokristiane), duke simbolizuar fuqinë e gjithëpushtetshme të Perëndisë. Ndërsa zemra e figuruar në pjesën e sipërme të motivit me kokën e dashit, thekson në të njejtën kohë se kryqi i vendosur mbi këtë suport është dhe Kryqi i Zemrës së Shenjtë. Këto elementë simbolikë dhe dekorativë i japin Kryqit të Labovës një vlerë mjaft të madhe kuptimore, e cila përkon me përmbajtjen e tij, si relikuar i Drurit të Shenjtë ku u kryqëzua vetë Krishti.
Shumëkush që i ka kushtuar vëmendjen e duhur artit të zhvilluar përgjatë periudhës bizantine të hershme, nuk mund të ketë kaluar pa vënë re disa kapitele zoomorfe të përdorura në arkitekturën e krishterë, ku shembulli më i gjetur është në bazilikën e Shën Dhimitrit në Selanik. Duke ndjekur fazat e saj të ndërtimit dhe duke ndaluar në mbetjet më të hershme arkitektonike të datuara në shek. V pas Krishtit, do të na tërheqin vëmendjen një numër i konsiderueshëm kapitelesh zoomorfe të gdhendura me një mjeshtëri të admirueshme. Ngjashmëria e tyre me elementin e përmendur më sipër të Kryqit të Labovës është mjaft e madhe dhe udhëhiqet nga i njëjti konçept i simbolikës së krishterë. Krahas saj në pjesën e poshtme të kolonës mbajtëse të Kryqit të Labovës njohim një motiv të përsëritur, të krijuar nga një petale luleje e hapur dhe lëshuar poshtë. Referenca të dukshme të këtij motivi gjejmë dhe në bazamente kolonash në vendin tonë, të cilat i përkasin periudhës bizantine të hershme. Në bazamentin e Kryqit të Labovës e figuruar si një kupë e përmbysur, njohim një ornamentikë të pasur ku inserohen imazhi i kerubinëve, kantarit si burim i jetës dhe motivet floreale trefletëshe si simbole të trinitetit. Në burimet dhe dëshmitë e banorëve të Labovës së Kryqit, ky Kryq përmendet si relikuar i Kryqit të Vërtetë. Nga dëshmitë e mbledhura për këtë qëllim, del se brenda ndodhej një kuti druri e punuar hollë dhe e vendosur në zemër të tij. Brenda kësaj kutie të vogël konservohej një copë druri (lisi, nga burimet del se ishte rreth 152 gram) nga Kryqi ku u kryqëzua Krishti. Të dy anët e kryqit kapeshin me njëra tjetrën me anë të tetë spinave argjendi të pasuruara me motivin e një luleje shumëpetalëshe. Trupi i spines-perçinë, i ngjashëm me funksionin e gozhdës përshkonte tejpërtej trupin e Kryqit dhe nga ana tjetër duke u hapur në dysh tek fundi i saj. Nga ana tjetër mbulohej me të njëjtën kokë spine argjëndi si kapak. Përmëndjen e një Kryqi me vlerë të tillë relikuare, e gjejmë në Kronikën e Drianopojës, botuar nga Pukëvili më 1821, tek Dh. Evangjelidhis më 1913, si dhe tek Nikolaos J. Mistiakidhis më 1904.
Duke konsultuar me kujdes kronologjinë e formave të kryqeve të aplikuara përgjatë antikitetit të vonë dhe periudhës bizantine e pasbizantine, në studimet përmbledhëse të kryera deri më sot, kuptohet variacionet që pëson kryqi në periudha të shkurtëra historike, të cilat lidhen ngushtësisht si me drejtimin e perandorisë bizantine dhe krishtërimit. Kryqi i Labovës ofron një siluetë paksa të reduktuar të kryqit latin se sa kryqin orthodoks me krahë të barabartë. Ai paraqitet i plotë dhe me krahun vertikal të poshtëm pak më të zgjatur. Një formë e tillë është evidentuar nga studiuesit si prezencë fillestare në Parenzo në vitin 540 pas Krishtit. Më pas krahët e kryqit futen më brenda në qendër duke ruajtur në përgjithësi një siluetë të tillë nga shek. VI – X pas Kr.
Duke iu referuar burimeve historike për kryqet në periudhën bizantine dhe pasbizantine, vëmë re se kryqe të çmuar të pajisur me relike të “Kryqit të vërtetë”, janë cituar në Liber Pontificalis ku kujtohet nga papa Silvester(314-335) “…de ligno sanctae Crucis domini nostri Iesu Christi in auro et gemmis conclusit” dhe papa Simmaco (498-514) bën “…crucem ex auro cum gemmis ubi inclaudit lignum dominicum”. Staurotekët mund të konsiderohen si shembujt më antikë të relikuarëve. I pari kryq që mbahet në dorë (procesional), është figuruar në mozaikun e S. Vitale në Ravena, ku paraqitet “Oborri i Justinianit” me peshkopin Massimian, që mban në dorë një kryq të artë me gurë të çmuar. Këto kryqe të përcaktuar si “Kryqe bekimi” janë mbajtur për shekuj me rradhë. Shembulli më antik i tyre i njohur, i quajtur i “Dëshirës”(Breshia), akoma i tipit grek (me krahë patenti), i datuar më 756-774, i cili nga specialistët theksohet se si tipologji kthehet më vonë në shek.IX-XI.
Sipas një tradite të dokumentuar, është përdorur në altar një kryq dore që rrinte aty gjatë procesionit, gjer në fund të shek. XII. Tipologjia e kryqeve të hershëm, sipas Mille-s, mbetet ajo e kryqeve të stolisur paleokristianë në argjend të petëzuar, me dekoracione në filigramë, rretha të vijëzuar, stolisur me gurë të çmuar dhe një kuti të vogël për relikën e shenjtë, sic është rasti i kryqit të çmuar në Muzeun e Shenjtë të Vatikanit (687-701) në kohën e papa Serxhios, i cili ushqente të tilla simbole gjatë procesionit për festën e Nderimit të Kryqit. Imazhi i kryqëzimit shfaqet rreth shek. IX, në ikonografinë e Christus patiens. Kryqëzimi i Krishtit figurohej në pjesën recto, si dhe në atë verso. Duke qenë se kryqet ishin të lëvizshëm, tentohej të pasurohej me ikonografi nga të dyja anët. Në shek. XII, në fundet e kryqeve shfaqen imazhet e Maries dhe Johanit, e Perëndisë At, e ungjillorëve. Ikonografia e Krishtit e paraqitur mbi recto, shpesh korrespondonte mbi verso me Agnus Dei. I parë në këtë konteks historik, Kryqi i Labovës duket se nuk i përket kësaj periudhe.
Stauroteca – relikuari, zakonisht në formën e kryqit, janë të destinura të mbajnë relike nga “Kryqi i Vërtetë”. Stauroteca, relikuar i drurit të Kryqit, përdoreshin në devocionet private dhe shoqëronin altaret e lëvizshëm, e konsiderohen si shembujt më të vjetër të relikuarëve. Stauroteca në Thesarin e S. Giovanni në Laterano, është e një origjine antike bizantine, dhe sot me një faturë perëndimore. Ndoshta një fat të tillë ka pasur dhe Kryqi i Labovës. Me përjashtim të nyjes lidhëse të kryqit me bazamentin, ku paraqiten simboli i altarit më katër deshë në pikat kardinale, pjesa tjetër e kryqit ndoshta nuk i përket periudhës bizantine të hershme.
Dëshmia e parë e vendosjes së një kryqi në altar, vjen në mesin e shek. V(në Narsai të Nisibe-s, viti 450) në praktikën liturgjike siro-kaldaike. Ndërsa në perëndim kryqi si shenjë liturgjike, është dokumentuar në afreskun e bazilikës së Shën Klementit në Romë në shek.XI, ndërsa në një miniaturë të shenjtë të Abacisë së Marmontierës(biblioteka) më shek. IX. Kryqi fiksohej mbi një nyje dhe mbaronte me një bazë. Përdorimi liturgjik i kryqit në altar gjen një shpërndarje të gjerë paralelisht me kultin për dhimbjet e Krishtit. Përsa i përket karakterit ikonografik, kryqet karakterizohe deri në shek. XI, janë të dekoruar me gurë të cmuar në anën recto. Në fund të shek. X është e përhapur teknika e filigramës, e cila në përgjithësi aplikohet në sfonde. Kryqet në shek.XI-XII, në fakt shumë kryqe – relikuare ose procesional me smalte apo në kristal të fortë. Kryqet e shek. XII-XIII karakterizohen nga një koloristikë e vlershme, duke përsëritur në të objekte në smalto.
Gjatë analizës ikonografike me kryqe procesianal të periudhës pasbizantine, nuk konstatojmë ngjashmëri përsa i përket ikonografisë standarte. Pajisja e tij me teknikën e filigramës e vendos atë më shumë në konceptin artistik të shek. X. Por dhe ky datim mbetet i diskutueshëm sepse vetëm në shek.XIV shfaqet figurimi ikonografik i Golgothës, skena e Kryqëzimit të Krishtit, e shoqëruar me figurën e Virgjëreshës dhe Joan Ungjillorit. Ndërsa në shek. XVII bëhet një element përbërës i altarit. Nisur nga konkluzionet e specializuara në tërë hapësirën e krishterë, vështirësohet gjithmonë dhe më tepër datimi i Kryqit të Nderuar të Labovës. Shumë elementë figurativë ikonografikë të evidentuara nga ana jonë më sipër në këtë kryq, si pjesë së ikonografisë bizantine të hershme kërkojnë një vlerësim të mëtejshëm. Pas mbretërimit të Justinianit(527-565), kryqi i vogël në argjend të larë me ar, i dhuruar nga Justini i II(565-578) në Romë me patenën e Stuma-s dhe Riha-s, tregojnë që në Kostandinopojë ekzistonte dhe një stil i tretë oborri, me paraqitje religjioze dhe orientim konvencional, i dallueshëm nga korenti i riprodhimit helenistik. Në këtë periudhë, argjëndaria në artin siriak, tregon një tjetër aspekt të artit të kohës. Vazot e shenjta dhe objektet liturgjike me imazhe të krishtera janë të shumta. Motivet vegjetale në to ruajnë formen natyrale, pa stilizime dhe thjeshtëzime. Figurat ruajnë konsistencën fizike duke ndjekur në mënyrë harmonike ondulaçionet trupore, sipas shijes tradicionale të klasiçizmit. Ndoshta realizimi i Kryqit të Labovës mund të kërkohet aty, si një përjashtim. Megjithatë, eksponatet e pakta të kësaj periudhe në hapësirën shqiptare, e lënë të hapur vendosjen e datimit të Kryqit të Labovës si një dhuratë e mirëfilltë perandorake, në këtë periudhë historike apo më vonë.
Theksimi më 1904, i studiuesit Nikolaos J. Mistiakidhis se Kryqi i Labovës ka hyrë në hapësirën shqiptare më prill të vitit 559, i shoqëruar nga njeriu më i afërt i perandorit Justinian, shpatari i parë Kostandini nga Labova, së bashku me katër priftërinj, dy prej të cilëve quheshin Theofilos dhe Pangratios duket i besueshëm. Ndërsa nisur nga arkivimi i kryqeve të tillë në historinë e krishterë, kjo e dhënë duket e nxituar. Nuk mund të përjashtojmë mundësinë që në Kryqin e Labovës nuk ka elementë ikonografikë që intrigojnë padyshim këtë periudhë të hershme bizantine nën mbretërimin e Justinianit, siç është nyja e gdhëndur me figurime deshësh, mënyra e preçinimit, përkushtimi i Perëndisë At me simbolin e një borse, kryqet e fiksuara mbi glob. Por, i parë në tërësinë e tij, Kryqi i Labovës qëndron koherent dhe për shumë periudha artistike më të vona. Ky dualitet vlerash historike dhe artistike i trupëzuar në të, duket se e kthen Kryqin e Labovës në një relikë të kishterë pa kohë.
Sot, vendndodhja e Kryqit të Labovës nuk dihet. Ai përkujtohet me respekt të veçantë në Kishën e Shën Mërisë në Labovë. Ditën e festës së saj më 8 Shtator, ku mblidhen tërë banorët e saj brenda dhe jashtë vendit, një nderimte veçante zë përkujtimi i Kryqit të Shenjtë që u lidh përjetësisht me emrin e vendbanimit të tyre, Labovës. Me sa duket historia e këtij vendi fshihet por nuk humbet, ashtu si Krishti i mishëruar nën simbolin e luanit me këmbët e prapme të mbështjella, ecën dhe fshin gjurmët e tij./ Gazeta Shqiptare, shtator 2004