I biri i Llambit apo i Harallambit? Vangjel Tavo ‘ngatërron’ emrin e babait dhe mbetet deputet i Gjirokastrës
Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, ndonëse ka firmosur dorëheqjen nga mandati, mbetet sërish deputet. Tavo ka ngatërruar emrin e babait, ndërsa akuzon Kuvendin për papërgjegjshmëri. Ai shprehet se është një lapsus pasi i ati emrin e ka Harallamb, por në pasaportë e ka të shkruar Llambi. Në shpejtësi e sipër, Tavo thotë se e ka shkruar emrin e të atit, siç ata e thërrasin.
Ai ka akuzuar Komisionin e mandateve për mungesë serioziteti, pasi sipas tij, mos-thirrja e të gjithë personave të nënshkruar për të deklaruar personalisht, është shkelje. Tavo thotë se mundet që dikush edhe të kishte firmosur në emër të tjerët kujt.
“Gabimi im, babai im e ka emrin Harallamb, po në pasaportë e ka të shkruar Llambi. Gabim shpejtësie nga unë, por edhe papërgjegjshmëri nga Kuvendi. Kam qenë anëtar i komisionit të mandateve dhe i shqyrtonim emrat dhe të dhënat personale deri në detaje përpara se të konfirmonim mandatin, ose lënien e mandatit. Komisioni i mandateve duhet të kishte thirrur të gjithë deputetët. Po sikur unë të mos e kisha firmosur vetë? I mbetem vendimit të opozitës 100 për qind. Sapo të kthehem do të dorëzoj mandatin. Në fillim të javës tjetër jam në Tiranë”, tha ai.
Ka gjasa që kjo të jetë një manovër e tij për të shpëtuar mandatin pasi ka besuar se vendimi i opozitës ishte një shaka e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Duket e pakuptimtë se si mundet që deputeti të ngatërrojë emrin e babait në një formular kaq shumë të rëndësishëm si ai i djegies së mandatit.