I moshuari nga Dropulli bën apel për ndihmë. Ka humbur të dyja këmbët nga diabeti (VIDEO)

Një 61 vjecar nga fshati Goranxi në zonën e Dropullit në Gjiroksatër apelon për ndihmë. Ai ka humbur të dyja këmbët si pasojë e sëmundjes së diabetit dhe nevoja për ndihmën e  një shoqëruesi të përhershëm është tashmë një domosdoshmëri. Por këtu duket se nisin edhe problemet për këtë familje.

Kristaq Nika ka mundur pas shumë përpjekjesh të fitojë pagesën e invaliditetit, ndërkohë që nuk i ofrohet pagesë shoqëruesi. Nika tregon se jo rrallëherë ka menduar t’i japë fund jetës së tij, që tashmë i duket e pakuptimtë dhe nuk i ofron asgjë. Duket se ai e ka gjetur mënyrën se si të lëvizë nga ambientet e brendshme të shtëpisë, duke sajuar vetë këtë ashensor mekanik që i mundëson komunikimin me pjesën tjetër të banorëve të fshatit.

Sofia, bashkëshortja e Kristaqit, tregon mes lotëve vështirësitë e kujdesjes së përditshme për të shoqin. Pagesa e invaliditetit, që është e vetmja e ardhur për këtë familje, është e pamjaftueshme për dy të moshuarit. Jashtë kameras, ajo tregon me ndrojtje se deri në fund të muajit ka vetëm 2500 lekë. 61- vjecari pohon se ka bërë kërkesa të vazhdueshme në Bashkinë e Dropullit, por ende nuk ka mundur të marrë një përgjigje të saktë dhe përfundimtare.

©ArgjiroLajm.net