I vdiq mësuesi i vetëm që kishin, prej dy muajsh nxënësit në Zagorie nuk bëjnë mësim
Në tetor të këtij viti u nda nga jeta Agim Carka, mësuesi i vetëm në shkollën e fshatit Zheji në Zagorie, ku ndiqnin mësimin disa nxënës. Por ndonëse kanë kaluar rreth dy muaj, Drejtoria Arsimore Gjirokastër nuk ka emëruar një mësues tjetër në këtë shkollë.
Semestri i parë po shkon drejt fundit dhe nxënësit ende nuk i janë rikthyer mësimit. Prindërit e tyre janë ankuar te Bashkia Libohovë dhe Drejtoria Arsimore në Gjirokastër, por problemi s’ka marrë zgjidhje akoma.
Situata është e vështirë pasi në zonën përreth nuk ka persona të tjerë me arsimin përkatës, ndërkohë mësues nga Gjirokastra apo Libohova refuzojnë të shkojnë në shkollën e Zhejit për shkak të distancës së largët dhe rrugës në gjendje të keqe.
Ende nuk dihet se si do t’i jepet zgjidhje këtij problemi, ndërsa nxënësit e fshatit vazhdojnë të mos bëjnë mësim.
|Libohova Online|