Ilia Kuro, njeriu i ‘betejës’ për Zagorinë
Pas konfirmimit të kryeministrit Edi Rama se në Zagori nuk do të ketë kërkime për naftë, tentativa e kompanisë ‘Shell’ sipas një kontrate me qeverinë shqiptare vijon të jetë kryefjala e zagoritëve në bisedat e përditshme, qoftë në fshatrat e tyre apo edhe në rrjetet sociale. Ajo që bie në sy janë një tufë idiotësh, të cilët e shohin fajtorin tek nënkryetari i Bashkisë Libohovë, Ilia Kuro, duke u nisur vetëm prej faktit se ai është nga Zagoria dhe sipas tyre ka ‘prerë në besë’ zagoritët.
Edhe ditën që ‘Shell’ do të zhvillonte dëgjesën në Sheper pati një incident mes këtyre idiotëve dhe nënkryetarit Kuro. Nuk është nevoja të marrim në mbrojtje Ilia Kuron dhe as ta mitizojmë sepse s’ka bërë ndonjë heroizëm. Ai kundërshtoi në mënyrën e vet siç kundërshtuam edhe ne apo çdo qytetar tjetër normal i këtij vendi që shikon perspektivën tek turizmi dhe jo tek nafta, aq më tepër kur është fjala për një zonë të mbrojtur si Zagoria. Por i shkruajmë këto radhë si dëshmitarë jo vetëm të dëgjesës në Sheper, por të së gjithë ‘betejës’ që është bërë për Zagorinë.
Ilia Kuro ishte që prej fillimit kundërshtar i hapur i planeve të ‘Shell’ për të kërkuar naftë në Zagori. E ka bërë këtë gjë me zë dhe figurë në dëgjesën publike të zhvilluar në Gjirokastër, por edhe në takime të tjera kudo ku është debatuar kjo çështje. Shpesh duke u zhveshur edhe nga posti zyrtar që mban, ndoshta dhe duke mos u rakorduar fare me kryebashkiaken Luiza Mandi, ai ka mbajtur një qëndrim kategorik kundër kërkimit të naftës në Zagori. E bëri këtë gjë edhe ditën e dëgjesës në Zagori.
Ilia Kuro argumentoi me forcën e arsyes dhe ligjit përse ‘Shell’ duhej të ndalte planet për kërkim nafte. Haptaz i tha deputetes Mirela Kumbaro se ishte i gatshëm të dorëzote detyrën si nënkryetar bashkie dhe të vijonte kundërshtimin ndaj ‘Shell’ thjesht si nja banor i Zagorisë. Natyrisht që nuk po i bëjmë avokati sepse këtë as ai vetë s’e do, por i shkruam këto radhë duke parë revanshin banal që ka ndërmarrë tufa e idiotëve kundër Ilia Kuros. Ajo tufë idiotësh që për fat të keq i kanë vënë edhe të përfaqësojnë PD-në në Zagori.
Lejen kompanisë ‘Shell’ nuk ia dha as Ilia Kuro as Bashkia Libohovë, por qeveria shqiptare e cila u detyrua më pas të tërhiqej. Ilia Kuro, Bashkia Libohovë dhe ne të gjithë bashkë bëmë ç’mundëm për të kundërshtuar këtë leje dhe mbase prej kësaj rezistence ‘beteja’ për Zagorinë u fitua. Ilia Kuro ishte një nga njerëzit që spikati në këtë ‘betejë’ jo thjesht dhe vetëm si zagorit, por duke pasur gjithashtu edhe funksionin e nënkryetarit të bashkisë. Çdo diskutim tjetër për të gjetur fajin në Zagori apo Libohovë, aq më tepër në emra të përveçëm si Ilia Kuro, është thjesht një përpjekje e dështuar e tufës së idiotëve, që për vlerë të vetme të tyre kanë cinizmin dhe malinjitetin.
©Libohova Online