Inagurohet katedralja ortodokse në Gjirokastër, merr pjesë edhe kryepeshkopi Janullatos
E vetmja katedrale në jug të vendit e Kishës Ortodokse Shqiptare, është përuruar sot në Gjirokastër. Vetë Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos, ka marrë pjesë në përurimin e kësaj vepre që është unikale në llojin e vet përsa i përket strukturës, madhësisë dhe elementëve të tjerë.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos, është pritur në hyrje të katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, nga mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri, si dhe nga përfaqësues të tjerë të kishave ortodokse që janë pjesë e Mitropolisë së Gjirokastrës që përmbledh Himarën, Delvinën, Sarandën, Gjirokastrën, Tepelenën dhe Përmetin.
Të pranishëm kanë qenë përfaqësues të Ambasadës greke në Tiranë, si dhe konsulli grek i Gjirokastrës.
Kryepeshkopi Janullatos, ka mbajtur meshën e rastit në orët e mëngjesit duke predikuar paqe dhe lumturi për të gjithë besimtarët jo vetëm të Gjirokastrës, por dhe të gjithë Shqipërisë.
“Paqe dhe lumturi për të gjithë ju”, është shprehur Janullatos në gjuhën greke dhe atë shqipe, ndërkohë që dhe mesha, është mbajtur në dy gjuhë kjo dhe për shkak të prezencës së besimtarëve minoritarë grek, të cilët kanë qenë të pranishëm.
Gjirokastra si qendër e Mitropolisë, nuk ka pasur Kishë Qendrore për t’iu shërbyer besimtarëve ortodoksë. Katedralja e re, është ndërtuar në një truall të përshtatshëm prej 5 dynymësh me pamje nga aksi qendror rrugor që lidh Gjirokastrën me Tiranën në veri dhe me Greqinë në jug.
Guri i themelit, është vendosur në qershor të vitit 2010. Katedralja e re, dallohet për nga koncepti i saj origjinal arkitektonik.
Ajo është e stilit rotonda me kupolë madhështore. Përmban gjithashtu hajat perimetrik, që shtrihet në katin e parë dhe në gjinekonitin. Punimet për sistemimin dhe zbukurimin e mjediseve të jashtme, kanë kontribuar edhe në përmirësimin estetik të zonës. Qyteti i Gjirokastrës, ka dy kisha ortodokse të ndërtuara në shekujt e 16 dhe 17, si dhe katedralen e përuruar sot.