Intervista/ “Laver Bariu” i Libohovës, 36 vjet me klarinetë në dorë
Prej shumë kohësh në Shqipëri, sidomos në jug të vendit, ëshë rrënjosur thellë një traditë, sipas së cilës, dasmat sikur nuk kanë lezet pa tingujt e magjishëm të klarinetës. Pa këtë instrument, orkestra s’mund të quhet e kompletuar. Mjeshtrat e klarinetës në zona të ndryshme të Shqipërisë, njihen gjerësisht dhe gëzojnë respekt të madh. I tillë është dhe Xhorxhi Rafti, klarinetisti virtuoz nga Libohova, që e njohin të gjithë jo vetëm në Libohovë e Gjirokastër, por kudo nëpër Shqipëri dhe sigurisht përtej kufirit, në Greqi. Megjithatë, ndoshta dimë shumë pak rreth asaj se si e nisi ai rrugëtimin e tij të gjatë me klarinetë në dorë, si arriti ai të skaliste në sytë e njerëzve portretin e një ustai të madh që dëgjohet me ëndje nëpër dasma dhe festa të ndryshme. Lexoni më poshtë rrëfimin e tij për Libohova Online.
Si lindi pasioni juaj për klarinetën?
Do të thoja që ishte rastësi. Unë isha ushtar në Bureto dhe aty gjatë kohës së lirë, përmes fërshëllimës improvizoja melodi të ndryshme. Rastësisht më dëgjon një ushtar tjetër, të cilit i pëlqenin ato melodi dhe më thotë: “Ti ke vesh për klarinetë, ti ke talent për t’i rënë klarinetës”. Unë s’e kisha menduar ndonjëherë diçka të tillë, nuk më shkonte në mendje. Kontaktin e parë me klarinetën e pata në ushtri. Nisa të luaja bashkë me ushtarin i cili e njihte mirë këtë instrument. Aty fillova të mësoja pak nga pak.
Po pas ushtrisë si vazhdoi?
Pasi kthehem nga ushtria e përvetësova më shumë klarinetën në mbrëmje të ndryshme dhe aktivitete kulturorë që organizoheshin asokohe nga banda e qytetit. Më pas shkova në një kurs klarinete në Tiranë. Të them të drejtën, e kisha dhe pak të sikletshme sepse nga familja nuk ishin shumë dakord që unë të merresha me klarinetë. Ata donin që unë të vazhdoja studimet e larta, njësoj si vëllezërit dhe motrat. Ishte edhe koha në fakt, kur ekzistonte një lloj paragjykimi le të themi, për ata që i binin klarinetës. Asokohe ishim mësuar që grupet e sazeve përbëheshin vetëm nga pjesëtarë të komunitetit rom, prandaj prindërve të mi se si u dukej. Megjithatë edhe ky moment u kapërcye.
Kur e keni blerë klarinetën e parë?
Mbaj mend që ka qenë viti 1985, sapo isha kthyer nga Tirana. Para se të bleja klarinetën time, me kujtohet që shpesh merrja borxh të Jani Gjikës.
Keni marrë pjesë në festivalet e Gjirokastrës?
Posi jo, kam qenë pjesë e festivalit të vitit 1983, por jo me klarinet. Isha bashkë me grupin Libohovës. I kujtoj shpesh me nostalgji ato kohë, kishin emocione të tjera.
Sa vite keni me klarinë në dorë?
Kam që në vitin 1979, plot 36 vite.
Si ndodhi që ikët në Greqi?
Ikëm si të gjithë shqiptarët në atë kohë, në kërkim të një jete më të mirë. Ka qenë viti 1991. Nisa të interpretoja në Greqi nëpër festa dhe aktivitete të ndryshme. Aty më dëgjuan, u pëlqeu mënyra si luaja, u rashë në sy dhe pak nga pak u përfshiva në qendrën kulturore në Trikalla. Kam bredhur pothuajse në të gjithë Greqinë më grupin e Trikallas, madje edhe në shumë vende të tjera të Evropës.
Në gjithë këto vite, mund të evidentoni ndonjë periudhë apo ngjarje që ju ka bërë më shumë përshtypje?
Janë të shumta kujtimet dhe ngjarjet në gjithë këto vite, por unë padiskutim veçoj ato kohë kur isha pjesë e estradës së Libohovës. Vërtet ne ishim amatorë asokohe, por kishte një emocion tjetër. Muzika që bënim ishte si më origjinale, si më “bio” nëse mund të shprehem kështu. Ishim shumë të lidhur me njëri-tjetrin.
Çfarë klarinete keni aktualisht në përdorim, sa kohë keni me të?
Kam 4 vjet me këtë klarinetë dhe ma ka bërë dhuratë një doktor në Greqi, nga qyteti i Volos. Quhet Vangjel Gogari. Ai më kishte ndjekur në televizor dhe i kishte pëlqyer interpretim im. Gjen adresën e shtëpisë dhe vjen më takon. Pasi biseduam dhe më përgëzoi për mënyrën se si luaja në klarinet më thotë: “Ore, të vete mirë kjo klarineta apo të të marrë një tjetër?” Dhe unë ia kthej me humor: “ Klarineta kushton, nuk është sa një paketë cigare”. Ai vazhdoi me këmbënguljen e tij dhe më bëri dhuratë një klarinetë të markës “Buffet a Paris”.
Po klarinetën e parë që bleve, më të cilën ike nga Shqipëria e ruan ende?
Patjetër që e kam. Është e vjetër, por e mbaj si kujtim sepse me atë kam nisur karrierën time, me atë klarinetë jam rritur në këtë profesion. Kuptohet që kur erdha në Greqi, u krijuan kushtet ekonomike më të mira dhe bleva tjetër.
Që pas viteve ’90, ju bëni një jetë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ku ndjeheni më mirë kur luani në klarinetë?
Padiskutim që ndjehem më mirë kur jam në Shqipëri, kur luaj në dasmat tona, edhe pse të them të drejtën në Greqi mund të paguhem më mirë. Kur luaj në Shqipëri nuk i trembem fare as repertorit, sepse pothuajse i di të gjitha këngët. Nuk ka gëzim më të madh kur je në atdheun tënd, kur luan para shumë njerëzve që të njohin. Sado që të jem unë këtu, prapë i huaj mbetem. Si vendi tënd nuk ka. Kam disa vite rresht që gjithë sezonin e dasmave jam në Shqipëri dhe ndjehem i kënaqur.
Thonë që në zanatin tuaj fitohet shumë para. Sa e vërtetë është kjo?
Të mbash shtëpinë vetëm me këtë zanat, mendoj se është e pamundur. Shpesh herë detyrohem të bëj edhe ndonjë punë tjetër sepse nuk mjafton me të ardhurat që siguroj nga interpretimet me klarinetë.
Nëse do ju duhej të hiqnit dorë nga klarineta, me çfarë do e këmbenit këtë instrument?
Unë do e lëshoj nga dora klarinetën kur të mos kem më fuqi. Hë për hë, as që bëhet fjalë.
Keni pasur ndonjë klarinetist që ju frymëzonte dhe ndoshta donit t’i ngjanit?
Po, ka qenë një Hekuran Xhambazi në Tiranë. Më pëlqente shumë mënyra se si ai luante. Edhe Laver Bariu ka qenë frymëzim patjetër, si për çdo klarinetist shqiptar. Madje mbaj mend që Laverin e kam takuar edhe kur kishte ardhur në një dasëm në Libohovë.
Çfarë ju lidh me Libohovën?
Në Libohovë linda dhe u rrita. Kam mall për çdo hap që hedh teksa bëj rrugën nga pazari për në “Kalista”. I kujtoj gjithnjë kohët e fëmijërisë në Libohovë. Nuk ka se si të harrohet as rinia që kalova aty. Mbaj mend spartakiadat dhe aktivitetet që organizonim me estradën. Herë pas here më qajnë sytë për ato kohë.
E ka trashëguar ndonjë nga fëmijët pasionin tuaj për klarinetën?
Për fat të keq jo. As vajza dhe as djali s’kanë lidhje me muzikën. Ata kanë mbaruar studimet e larta dhe janë në punën e tyre.
Të vjen keq për këtë?
Jo dhe aq sepse këtu në shtëpi kam një nip, djalin e vajzës. Nuk ka mbushur ende dy vjeç, por shikoj që ai ka një pasion për klarinetën. Vjen shpesh këtu kur luaj unë, e prek klarinetën dhe më dëgjon me vëmendje. Besoj se nuk do më tradhëtojë nuhatja ime që ai do e dojë klarinetën dhe do mësojë të luajë. Megjithatë të shohim, ka kohë akoma.