Intervista/ Zamira Rami tregon vizionin e saj për Gjirokastrën
Kandidatja e mazhorancës për Bashkinë e Gjirokastrës, Zamira Rami komenton shtyllat e programit të saj, punën e Flamur Bimes në krye të bashkisë, si dhe nevojat e komunitetit
Kandidatja e mazhorancës për Bashkinë e Gjirokastrës, Zamira Rami garon për zgjedhjet e 21 qershorit me një program të detajuar. “…Programi ynë është i detajuar dhe parashikon që çdo resurs, duke filluar nga prodhimet bio, artizanati, banesat e vjetra, investimet në monumente e infrastrukturë, të vihen në shërbim të një turizmi të qëndrueshëm, për të arritur te rritja ekonomike e gjithë rajonit…”, – shprehet ajo në një intervistë për gazetën “Mapo”. Përveç stafit, Rami shpjegon se edhe intelektualë janë bërë pjesë e ndërtimit të programit që ajo ka, që sipas saj, është tërësisht i bazuar mbi nevojat konkrete dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetin. Rami vjen si propozim i LSI-së, megjithatë ajo nuk i kursen vlerësimet për Flamur Bimen kryetar bashkie për tri mandate në Gjirokastër. “…Në vlerësimin tim personal, Flamur Bime është një menaxher i zoti. Mandati i parë 2003-2006 ka qenë një mandat tepër i suksesshëm për një sërë investimesh të kryera në qytet. Për 8 vite me radhë kur në qeverisje ishte Partia Demokratike, fondet e dhëna për Gjirokastrën kanë qenë aq të pakta sa në disa momente janë diskutuar edhe pagat e punonjësve. Megjithatë edhe në një situatë të tillë investimet nuk kanë munguar dhe janë realizuar me të ardhurat e bashkisë…”, – shprehet ajo. Rami nuk komenton kandidatin që ka përballë, Igli Kokalarin, duke shtuar se fushatën ajo do ta bazoje tek komuniteti. “…Vlerësimin për të dy kandidatët do ta japin banorët me votën e tyre në 21 Qershor…”, – shprehet ajo.
Zonja Rami, me kandidimin tuaj për Gjirokastrën, shumë njerëz nxitojnë të afrohen, sigurisht në interes të tyre. Por është dhe ana tjetër; për shkak të interesave të prishura politike ose jo, krijohen edhe pakënaqësi. Si po i përcillni këto reagime dhe cili është perceptimi në qytet për kandidaturën tuaj?
Përgjatë këtyre ditëve të para të fushatës parazgjedhore kam marrë kontakte me qindra banorë, kontakte që kanë qenë të organizuara, por edhe spontane. Mund të them se kam gjetur dashamirësinë dhe mbështetjen e tyre, sikurse edhe në raste të izoluara janë shprehur disa pakënaqësi. Por dëshiroj të theksoj që këto pakënaqësi nuk janë të lidhura me emrin apo kandidaturën time, por të mbartura. Gjithsesi fakti që unë jam mes komunitetit, flas me ta çdo orë e çdo ditë, i dëgjoj me vëmendje dhe i mirëkuptoj në shqetësimet që shfaqin i kanë minimizuar ndjeshëm. Besoj se perceptimi për kandidaturën time është mjaft pozitiv dhe e konfirmoj këtë fakt ditë pas dite.
Ju jeni një kandidate e përbashkët e mazhorancës, por propozim i ardhur nga LSI. Cilat janë avantazhet, nëse ka, dhe disavantazhet e kësaj rrethane?
Nuk mendoj se ka disavantazhe, ndërsa avantazhi kryesor është që unë jam përfaqësuese e koalicionit të mazhorancës, koalicionit që në qershor të vitit 2013 korri një fitore të thellë në qarkun e Gjirokastrës, si në gjithë Shqipërinë. Një tjetër avantazh është pozicioni im si Prefekte e Qarkut për 18 muaj dhe prefekti është përfaqësuesi i drejtpërdrejtë i kryeministrit në rajon. Një raport i tillë ka krijuar besim dhe ka ndikuar në përzgjedhjen e emrit tim si kandidate e së majtës.
A ka krijuar pakënaqësi në radhët e socialistëve një kandidaturë e LSI në një qytet si Gjirokastra, ku PS ndihet si në shtëpinë e vet?
Ndoshta në momentet e para po, pasi kandidaturat brenda radhëve të Partisë Socialiste nuk kanë qenë të pakta dhe ishin emra me peshë. Gjithsesi përzgjedhja e kandidaturës sime ishte vendim që u mor nga liderët e mazhorancës, por verdikti përfundimtar erdhi pas një testimi paraprak në bazën e gjerë të së majtës, si brenda radhëve të PS-së edhe të LSI-së. Dëshiroj të theksoj faktin që tanimë të gjitha pakënaqësitë janë të kaluara dhe po punojmë si një forcë e vetme e jo të ndarë.
Çfarë vlerësimi keni për tri mandatet e paraardhësit tuaj, zotit Bime?
Fakti që kryetari aktual, z. Bime drejtoi për 12 vjet bashkinë e Gjirokastrës është domethënës në drejtim të besimit që komuniteti kishte te ai, si administrator i qytetit. Në vlerësimin tim personal, Flamur Bime është një menaxher i zoti. Mandati i parë 2003-2006 ka qenë një mandat tepër i suksesshëm për një sërë investimesh të kryera në qytet. Për 8 vite me radhë kur në qeverisje ishte Partia Demokratike, fondet e dhëna për Gjirokastrën kanë qenë aq të pakta sa në disa momente janë diskutuar edhe pagat e punonjësve. Megjithatë edhe në një situatë të tillë investimet nuk kanë munguar dhe janë realizuar me të ardhurat e bashkisë.
Për Gjirokastrën mund të flasim pa fund, për vlerat, vendin dhe zhvillimin që duhet të kishte, por si në të gjitha qytetet, përveç Tiranës, edhe në Gjirokastër në këto 25 vite ka gjurmë të zbehta të ecjes në drejtimin e duhur dhe shumë të tjera që flasin për provincializëm, avashllëk dhe kaotizëm. Cili është vizioni juaj për zhvillimin e qytetit në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme?
Gjirokastra, destinacion i përhershëm turistik. Kjo është shtylla kryesore e strategjisë së zhvillimit të qytetit, rreth së cilës do të ndërtohet çdo projekt. Trashëgimia, pasuritë natyrore, historike dhe kulturore të bashkisë së re janë një potencial i madh për të përmbushur synimin tonë. Programi ynë është i detajuar dhe parashikon që çdo resurs, duke filluar nga prodhimet bio, artizanati, banesat e vjetra, investimet në monumente e infrastrukturë, të vihen në shërbim të një turizmi të qëndrueshëm, për të arritur te rritja ekonomike e gjithë rajonit.
Të qenit femër është një përparësi e juaja apo një minus, meqë politika shihet ende si profesion për burrat?
Nuk dëshiroj ta shoh as si përparësi dhe as si minus. Jam kundër idesë që gjinia është kusht për mënyrën e të bërit mirë të gjërave. Janë të tjerë elementë që përcaktojnë nëse dikush është i suksesshëm ose jo e që lidhen me përkushtimin, seriozitetin dhe angazhimin. Nga ana tjetër rastet e femrave të suksesshme si në politikë ashtu edhe në fusha të tjera nuk mungojnë dhe janë motiv frymëzimi.
Cilat janë pesë pika të forta dhe të dobëta të Zamira Ramit në garën për Bashkinë e Gjirokastrës?
Jo për mungesë modestie, por mendoj se në këtë garë kam hyrë pa dobësi. Përsa u përket avantazheve do veçoja: Së pari, dashuria për Gjirokastrën është pika ime më e fortë në këtë sfidë, çka më motivon për të punuar pa u kursyer. Së dyti, përfaqësoj një emër dhe një figurë të pastër politikisht. Së treti, kam mbështetjen e një koalicioni mjaft të gjerë dhe të suksesshëm, mbështetje që do vazhdojë edhe kur unë të kryej detyrën e kryetares së bashkisë. Së katërti, përveç mbështetjes masive të komunitetit, kam përkrahjen e vajzave dhe grave, pasi është hera e parë që një femër kandidon për kreun e bashkisë së Gjirokastrës. Së fundmi, përveç stafit tim, dhjetëra intelektualë janë bërë pjesë e ndërtimit të programit tim, i cili është tërësisht i bazuar mbi nevojat konkrete dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetin.
Cilat mendoni se janë pikat e dobëta por edhe të forta të rivalit tuaj?
Nuk dua të komentoj rreth kundërshtarit tim politik në këtë garë. Fushata ime bazohet tek komuniteti dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Vlerësimin për të dy kandidatët do ta japin banorët me votën e tyre në 21 Qershor.
“Odiseja” e mbrojtjes së vlerave kulturore dhe arkitektonike të qytetit vijon prej vitesh. Qeveria, pushteti vendor dhe UNESCO japin aq sa japin fonde dhe projekte për restaurimet, por në fund gjithmonë është pak. Cila do të ishte sipas jush një zgjidhje që do ta mbyllte disi këtë problem?
Të ruash dhe të konservosh një pasuri të tillë nuk është e lehtë. Problemet janë të shumta dhe zgjidhjen së pari duhet ta kërkojmë në ndryshimin e mentalitetit te vetë banorët gjirokastritë. Ata duhet të binden se Gjirokastrën ashtu si në shekuj e kanë ruajtur ata pavarësisht momenteve të vështira edhe sot ne do t’i dalim për zot. Më vjen mirë që kohët e fundit janë shtuar iniciativat private për rijetëzimin e banesave të vjetra dhe kthimin e tyre në burim të ardhurash. Bashkia pas 21 qershorit do të lobojë fort pranë qeverisë shqiptare, Ministrisë së Kulturës dhe organizmave ndërkombëtarë për marrjen e sa më shumë fondeve dhe realizmin e projekteve restaurues në mënyrë sa më cilësore.
Me ndarjen e re, qyteti do të shtrihet përtej kufijve të vjetër. Çfarë prurjesh do të kenë zonat e reja dhe çfarë perspektive hapet për Bashkinë e re të Gjirokastrës?
Shpesh kur flitet për Gjirokastrën, nënkuptohet vetëm pjesa muzeale. Por të gjitha zonat që i bashkëngjiten bashkisë së re mbartin pasuri që vijnë nga shekujt, por që për fat të keq njihen pak. Përfshirja e çdo monumenti, e çdo kostumi, çdo tradite dhe çdo elementi të rrallë brenda pasurisë së trashëgimisë kulturore botërore, është një prurje që i shton vlerat. Në këtë këndvështrim, perspektiva mbetet e gjerë dhe e gjithanshme.