Investimet në rrjetin e ujësjellësit, prioritet i Bashkisë Libohovë për vitin e ardhshëm
Investimet në rrjetin e ujësjellësit do të jenë një nga prioritetet e punës së Bashkisë Libohovë për vitin e ardhshëm.
Kështu është shprehur kryebashkiakja Luiza Mandi gjatë një interviste për televizionin publik Gjirokastra.
Sipas saj furnizimi me ujë i Libohovës, por edhe i njësive administrative është një problem i trashëguar ndër vite, për të cilin duhet gjetur një zgjidhje.
“Për vitin që vjen do t’i japim prioritet ujësjellësit. Rrjeti është tejet i amortizuar dhe furnizimi me ujë të pijshëm ka probleme. Por vëmendje do t’i kushtohet edhe bujqësisë dhe turizmit”, u shpreh Mandi.
Gjatë vitit të kaluar Bashkia Libohovë ka përfituar disa investime të rëndësishme kryesisht në infrastrukturën rrugore. Kujtojmë këtu rikonstruksionin e plotë të rrugës së fshatit Bulo apo edhe rrugën e fshatit Labovë, që është në ndërtim e sipër.
|Libohova Online|