Ish-drejtori i televizionit të LSI-së emërohet drejtor i Tv Gjirokastra
Një muaj para nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit ka lëvizje në radhët e drejtuesve të insitucioneve publike në Gjirokastër. Prej ditës së sotme Silvana Spaho nuk do të jetë më drejtoresha e Radio Televizionit Gjirokastra.
Drejtori i përgjithshëm i RTSH, Thoma Gëllçi, ka firmosur emërimin e Arian Xhanit si pasues të Spahos në këtë media publike. Arsyet e largimit të Silvana Spahos nuk janë bërë me dije. Ajo do të vijojë punën në televizion në postin e kryeredaktores.
Arian Xhani është një gazetar me përvojë të gjatë. Rreth 15 vite më parë ka pasur një televizion lokal të vetin në Përmet. Ka punuar gjithashtu edhe si bashkëpunëtor e korrespondent i Top Channel. Ndërkohë prej gati një viti (2016-2017) drejtonte Alpo Televizion në Gjirokastër, media e marrë me qira nga familja Tavo në funksion të propagandës së LSI-së në qytetin e gurtë.
Xhani u largua nga ky televizion dy javë para zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit për shkak të përplasjeve të brendshme me stafin dhe ndërprerjes së emisionit ‘Dritare’ pas intervistës me Bledi Çuçin.