Jeta në Lazarat dhe Dukagjin pa drogë, nis lista e borxheve, të moshuarit nisin punën (VIDEO)
Lazarati dhe Dukagjini, pas aksionit antikanabis të policisë, kanë nisur një tjetër jetë. Banorët e këtyre zonave, rrëfejnë se me largimin e drogës, janë rikthyer listat e borxheve në dyqane. Ora News ka realizuar nje speciale ne Lazarat dhe Dukagjin.
Ndërkohë në Dukagjin edhe të moshuarit mbi 70 vjeç detyrohet të dalin në punë, pasi pensioni nuk u del për të mbijetuar. Gazetarja Brikena Meta dhe Bepin Kolvataj kanë biseduar me banorët e Lazaratit dhe Dukagjinit.
Jeta ne Lazarat
Çdokush që rruga e çonte përbri Lazaratit disa muaj më parë, ndërmend çonte atë që flitej në media e bërtitej në politikë. Fshati në të dalë të Gjirokastrës kur merr rrugën edhe më në jug, ishte shëndërruar në kuçedrën e përrallave, që i ndalonte ujin mbretërisë.
Nami i 4500 banorëve kishte shkuar aq larg sa në kancelaritë e BE-së apo të SHBA dalëngadalë në hartë, edhe pse si pikë e vogël Lazarati mbante kurorën e kryeqytetit të hashashit.
Të shkuara e të harruara? Mbase…
3 muaj më parë fshati i damkosur u rrethua me 1 mijë forca policie, që i hoqën nga rrënjët sëmundjen narkotike.
Pas verës së nxehtë kthehemi sërish në rrugën në të dalë të qytetit dhe kthejmë shikimin drejt malit, që mban në zemër fshatin, ku tashmë nuk lëshon më erë hashash.
Për të ngjitur monopatin deri në qëndër, na duhet gjithsesi të ndalojmë njëherë në Kordhockë. Jo te stallat e Gate Mahmutajt, ku nisi e gjithë beteja, por për të bërë formalitetin me postobllokun e policisë.
Edhe pse tashmë kanë kaluar shumë ditë, ai vazhdon të jetë aty i palëvizshëm. Që për për banorët disi rebelë të fshatit ngjan si një ferrë që i bezdis në këtë kohë paqeje.
E kalojmë dhe këtë pengesë dhe rruga në çon në qëndrën mitike të fshatit më më shumë histori të 24 viteve të demokracisë…
Është një ditë e qetë shtatori dhe në lokalet përreth qëndrës gumëzhijnë bisedat. Në fakt ulur përreth tavolinave gjejmë më të moshuarit, të rinjtë janë më të rrallë.
Ndërsa hedhin gurët e dominove, banorët e moshuar të Lazaratit nuk Ii kursejnë romuzet madje dhe akuzat për policinë.
Po a ka ndryshuar jeta e këtyre shqiptarëve pas operacionit të policisë…?
Ata revoltën e kanë vazhdimisht me uniformat blu, por edhe me Ministrin që pak ditë më parë shkeli në Lazarat por që banorët e refuzuan në takim.
Kthehemi të jeta pas tërmetit policor. Për shumë njerëz emri Lazarat përkthehet menjëherë në mendje me pamjen e makinave luksoze, parkuar para lokaleve të bollshme në qëndër.
Por në fakt lënia pas krahëve e hashashit duket se ka sjellë mjerimin shqiptar të paprovuar më parë të fshatit. Në një nga minimarketet të qëndrës, ku malli ka mbetur stok, pronarja na tund me njëherë bllokun e borxheve të filluara prej qershorit dhe që fletët i janë mbushur plot me shifra miliona lekëshe.
Rënie e punës vihet re edhe në rrobaqepësinë në qendër të fshatit. 27 vjeçarja Diana Gjishti, që përket një prej 40 familjeve muslimane të cilët nuk u bënë pjesë e kultivimit kolektiv të kanabis në Lazarat, rrëfen se pas muajit qershor njerëzit kanë filluar pyesin për çmimin.
Por pavarësisht pakënaqësive, lazaratasit po i kthehen normalitetit të një jete të ndershme, plot pasiguri për të ardhmen, pikëpyetje për të sotmen, në përpjekje për mbijetesë.
“Kemi filluar të mbjellim bahçetë me perime. Plot speca e patëllxhanë, s’kemi ç’të bëjmë tjetër, duhet të jetojmë” – thotë nnjë banore.
Vazhdojmë rrugëtimin tonë në qendrën shëndetësore të këtij fshati. Është dita e vaksinave. Sipas mjekes Kekezi largimi i kanabisit nga fshati eliminoi edhe problemet shëndetësore, që shkaktoheshin prej saj, ku më të theksuara kanë qenë alergjitë e shkaktuara nga kontakti me bimën.
Në qendër të fshatit kumbon muzika. Janë fëmijët e kopshtit të cilët luajnë në oborr nën ritmet e muzikës popullore. Më një numër të lartë banorësh, ku pjesa më e madhe e të cilëve janë të rinj, në Lazarat ka sot tre shkolla publike.
Shkolla fillore “Baba Rexhepi” , shkolla 9 vjeçare “Muhamet Gjollesha” dhe ajo e mesme me po të njëjtin emër. Petref Gaba, nëndrejtori shkollës 9 vjeçare “Muhamet Gjollesha” na tregon se ky vit i ri mësimor ka filluar pa probleme, ndonëse shumë prindër e banorë të Lazaratit pretendojnë se prania e policisë tremb fëmijët.
I pyetur mbi situatën sot në Lazarat, Gaba thotë “se kishte ardhur momenti që një operacion i tillë të vihej në zbatim, pavarësisht mënyrës se si u ekzekutua. Lazaratasit janë ndërgjegjësuar” – shprehet ai.
Ende skeptikë ndaj medias, kritikë ndaj qeverisë, mosbesues në shpirt dhe të pasigurt për të ardhmen, lazaratasit vijojnë nën ritmet e një jete që po shkon përherë e më shumë drejt normalizimit. Sot në gropat ku dikur lulëzonte bima narkotike janë mbjellë perime, ndërsa një pjesë e madhe e tokave ka mbetur djerrë…në pritje të rilulëzimit.
Jeta në Dukagjin
E lëmë mes pikëpyetjesh ardhmërie Lazaratin dhe ngjitemi lart në veri. Në malet e dukagjinit në fakt jeta nuk ka lulëzuar asnjëherë, me gjithë aromën e hashashit që policia e dogji nga rrënjët në fillim të shtatorit.
Duket sikur vitet nuk kanë ecur për Dukagjinin në zonën më të thellë malore të Shkodrës. Për të ndeshur shtëpinë e parë dukagjinase, duhen kilometra të tëra në një rrugë që të merr dy orë të mira. E vetmja shenjë e shtetit është një asfalt i hollë që i lidh vetëm qendrat e mëdha të komunës. Ndërsa aroma tjetër ndër male nuk ka aspak shije shtet.
Të zhgënjyer nga shteti dhe politika, që i kujton vetëm kur ka zgjedhje, banorët duket sikur i kanë humbur shpresat. E kur i pyet për aksionet antikanabis, që pak muaj më parë u zhvilluan intensivisht në zonën e tyre, ata nuk pranojnë të flasin, madje duket sikur e shpërfillin këtë çeshtje, që më shumë se për ta, ka qënë sukses për shtetin, ai që këta banorë pas këtyre aksioneve i ka harruar sërish.
Në këtë zonë, ku bëjnë pjesë fshatrat e “famshëm” të drogës si: Plani, Shoshi, Shala e Temali mungon një qender e mirëfilltë shendetësore, shkollat janë amortizuar ndjeshëm dhe argëtimi i vetëm për të rinjtë dhe banorët e Dukagjinit, është ekrani i vogël.
Tashmë panorama e këtyre fshatrave të thella malore nuk ka nevojë për shumë komente, pasi ajo i paraqet qartazi 2 kontraste të forta, në njërën anë janë bukuritë e pakursyera të natyrës, e në krahun tjetër varfëria që është ulur këmbëkryq me thjeshtësinë e bujarinë e këtyre banorëve.