Ka një arsye përse hesht LSI Gjirokastër për largimin e këshilltarit drejt PS-së

Për lëvizjen e fundit të dy këshilltarëve në Gjirokastër, të cilët ikën nga LSI dhe PDIU drejt PS-së, nuk ka asnjë reagim zyrtar, të paktën nga LSI-ja e cila ka më shumë elektorat në Gjirokastër dhe drejton bashkinë që prej vitit 2015. Përjashto ndonjë ‘thumb’ apo ironi në rrjetet sociale, si ai i djeshmi nga faqja e LRI Gjirokastër, ka heshtje prej kryebashkiakes Zamira Rami, deputetit Vangjel Tavo apo edhe kryetarit të LSI Gjirokastër, Krenar Kulla. Përse ndodh kjo? Do të bënim shaka nëse do të mendonim se përfaqësuesit e LSI-së nuk reagojnë për largimin e Ardian Hyskajt drejt PS-së, pasi e konsiderojnë një çështje pa rëndësi.

Përkundrazi, largimi i Hyskajt është një shqetësim për kryebashkiaken Rami e cila po humbet shumicën në Këshillin Bashkiak, por gjetkë është problemi. Nuk mund të ketë asnjë reagim prej LSI-së pasi  është precedenti i prillit të vitit 2016, kur Arben Rexha u largua nga Partia Republikane drejt LSI-së. Tha se e kishte marrë këtë vendim pas insistimit të deputetit Vangjel Tavo. Edhe largimi i tij ishte thjesht çështje ‘tepsie’ njësoj si largimi i Ardian Hyskajt apo Selaudin Moshos. Pra, LSI në këtë rast e ka të pamundur të ‘shfryjë’ kundër ish këshilltarit të vet që zgjodhi PS-në, pasi ka qenë edhe ajo pjesë e pazareve në merkaton e këshilltarëve. Prandaj kjo lëvizje po kalohet me heshtje. Dhe nëse shkojmë pak më tej ndër vite, kujtojmë edhe kapërcimin e Vangjel Tavos nga PS drejt LSI-së. Por me siguri që nëse do të ketë largime të tjera, sikundër është paralajmëruar nga Petrit Brahimi, LSI zor se do ta kursejë reagimin ndaj tyre. Të presim!

©ArgjiroLajm.net