Kadare, një jetë e dyzuar midis Perëndimit e Shqipërisë
Shkrimtari Ismail Kadare feston sot 79- vjetorin e lindjes dhe me këtë rast është botuar edhe një bibliografi e tij. Në të Kadare flet për marrëdhëniet me disa kolegë të tij shkrimtarë, por natyrisht edhe për marrëdhënien me diktatorin Enver Hoxha.
“Unë kisha një jetë të dyzuar midis Perëndimit dhe Shqipërisë. Isha një shkrimtar europian dhe shkrimtar shqiptar njëkohësisht”, tha Kadare në një intervistë për GSH.
“Vepra ime u botua në Francë dhe kjo shkaktoi një farë shqetësimi te regjimi. Enver Hoxha si duket u tremb nga fama ime dhe nuk e përballonte dot një pëlqim të madh të Evropës borgjeze. Shteti bënte sikur s’kuptonte, nuk përmendej romani shumë, por nuk u ndalua gjithsesi. Askush në Shqipëri nuk fliste për sukseset jashtë, megjithëse të gjithë e dinin. Kishin dëgjuar në lajmet e radios apo në mënyra të tjera, por bënin sikur nuk dinin gjë”, tha Kadare.
Fama që Kadare fitoi pas librit “Gjenerali” thotë se ishte e rrezikshme dhe e bukur njëkohësisht dhe në Shqipëri filluan ta quanin si dekadent, borgjez e një sërë emrash, që gjithsesi nuk i bënin përshtypje.
Në intervistën e dhënë Kadare flet edhe për “sulmin” nga Nasho Jorgaqi me anë të një letre të hapur, e cila u botua në një të përditshme.
“Është e shëmtuar. Unë nuk jam marrë me rrëzimin e shpifjeve që janë bërë kundrejt meje. Më duken shumë monstruoze. Si mundet një shkrimtar, një kritik të shkruajë diçka të tillë?”.