Kadare, shkrim në Le Monde për aktet terroriste në Paris
January 15, 2015
Goditja qe e rëndë. Eshtë me e pakta që mund të thuhet. Shprehja “Europa u godit mu në zemër” ishte e pranishme në pothuajse të gjitha lajmet. Pati tronditje, dhimbje, tmerr, si diçka e frikshme që ndodh për herë të parë.
Pavarësisht hijes së saj prej zonje të madhe, Europa nuk ka qenë kurrë e paprekshme. Ka ndodhur madje që edhe dy nga gadishujt e saj -gadishulli iberik dhe gadishulli ballkanik, t’i shkëputeshin me forcë, përgjatë shekujve të mëparshëm.
Unë i përkas një prej popujve të Ballkanit, popullit shqiptar, që e pati humbur Europën dy herë: në shekullin e 15 gjatë pushtimit otoman, pastaj në shekullin e 20, gjatë periudhës komuniste. Mendoj se popujt që kanë patur një fat të tillë kanë një qasje të veçantë, tepër të ndjeshme, ose të themi empatike, me dramën që ndodhi.
Pavarësisht faktit se ishte e përsëritur, tragjedia kishte, siç e kam thënë, disa gjëra të reja, të panjohura. Nën këtë dritë, raporti i kontinentit europian me pjesën tjetër të globit u qartësua në mënyrë të beftë, sërish.
Është e vërtetë se Europa konsiderohet si kontinenti që ka përfituar nga planeti, më shumë se të tjerët. Por në të njëjtën kohë është kontinenti që ka dhënë më shumë se të tjerët. Ajo që Europa ka bërë, i përket një sfere unike, superiore mund të thuhet, asaj të vlerave shpirtërore: filozofia, arti, literatura, demokracia dhe liria e shprehjes, për të cilën ajo sapo u godit.
E veçanta e këtyre vlerave bën pjesë në aktet humane më sublime. Në ndryshim nga pasuria materiale, pyjet, nafta, bankat, nga të cilat çdo vend përfiton për vete, vlerat shpirtërore u nënshtrohen të tjera ligjeve. Asnjë popull -apo asnjë familje popujsh – nuk i krijon për vete. Njëherazi, në të kundërt, që ditën e parë të krijimit të tyre, ato u ofrohen në mënyrë krej të natyrshme popujve të tjerë. Kështu Europa krijoi Danten, Shekspirin, Bethoven, -mund të themi edhe vetë Parisin, për vete, sikundër për të gjithë botën.
Është ky dallim që u shfaq njëherësh, si nën dritën e një rrufeje: mirënjohja planetare për Europën, kontinentin e goditur. Por gjithashtu edhe mesazhi që Europa mbetet e çmuar për të gjithë njerëzimin. Për këtë arsye ajo nuk ka vetëm të drejtën, por gjithashtu edhe detyrën për t’u mbrojtur. Për veten, dhe për gjithë të tjerët.