Kakavijë, bllokohen 40 kg midhje të rralla “gurëshpues”, vinin nga Greqia
Organet doganore në Kakavijë në bashkëpunim me Inspektoriatin e Peshkimit, kanë bllokuar mesditën e sotme një sasi midhjesh të veçantë e cila e ka kategorikisht të ndaluar importin. Ngarkesa prej rreth 40 kg është bllokuar në autobusin e linjës Athinë-Tiranë në orën 10:00 të së mërkurës.
Kjo specie e quajtur “gurëshpues” sipas inspektiorit të Peshkimit Leonard Kasi, kategorikisht nuk lejohet të importohet apo eksportohet. Sipas tij po punohet me organet doganore për ndalimin dhe procedimin penal të poseduesit të kësaj ngarkese.
Më pas do të bëhet asgjësimi i tre kutive metalike me këtë specie të rrallë midhjesh në bashkëpunim me Autoritetin Rajonal Kombëtar të Ushqimit Gjirokastër. Ndërkohë lidhur me këtë rast edhe policia e Gjirokastrës ka nisur hetimet.