Kalaja e Libohovës përgatitet për pritjen e turistëve
Monumentet e Kulturës po përgatiten për të pritur turistët e huaj dhe vendas, çka ka bërë që ekspertët dhe specialistët përkatës të punojnë çdo ditë për mirëmbajtjen dhe vëzhgimin e tyre.
Në pritje të sezonit të ri turistik 2018, DRKK Gjirokastër po kujdeset për restaurimin dhe pastrimin e monumenteve dhe konkretisht ditët e fundit një vëmendje e veçantë i është kushtuar kalasë së Libohovës.
E ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena ndërmjet viteve 1796-1798, kalaja e Libohovës ,Monument Kulture i kategorisë së parë, tashmë ka një portë të re hekuri në hyrje të saj.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër pas vendosjes së portës së hekurit po vijon punën për restaurimin e pragut të portës dhe sheshit para saj.
Në pritje të sezonit turistik, DRKK vazhdon pastrimin nga vegjetacioni dhe mbeturinat e rastit, si dhe do të merren masa për vendosjen e koshave të vegjël për mbeturinat.
Kalaja e Libohovës ka qenë dhuratë e Ali Pash Tepelenës për motrën e tij, Shanisha e martuar në Libohovë. Është objekt i vizitueshëm dhe me interes për turistët e dhënë pas historisë.
Kalaja ka katër kulla shumëkëndëshe nëpër qoshet dhe murin që rrethon një sipërfaqe të gjerë, qe është një fortesë me përmasa të konsiderueshme.
Motra e Ali Pashë Tepelenës, Shanisha, u martua me një nga anëtarët më të rëndësishëm të familjes Libohova dhe kalaja ishte paja e Ali Pashës për të motrën.
Kalaja kishte një pozicion strategjik dhe kontrollonte gjithë luginën e Drinos. Zona ku shtrihet qyteti ndahet nga disa përrenj në zona të veçanta shkëmbore në të cilat burojnë ujërat të ftohta të burimeve të Zhepes, te Lozes etj. Në qendër te Libohovës ndodhet rrapi mbi 560 vjeçar, një monument i rrallë i natyrës, i cili është i rrethuar nga rrepe të tjerë.
Gjithashtu, bien në sy, në qendër të qytetit, sarajet e bejlerëve të Libohovës. Sot kjo kala është objekt, ku turistë të shumtë e vizitojnë atë për historinë e saj dhe për kuriozitetin intrigues. Ndërsa motra e Ali Pashë Tepelenës, Shanishaja, prehet në varrezat në jug të kalasë.