Kalon vettingun gjyqtarja e Apelit në Gjirokastër, Irena Brahimi
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Apelit të Gjirokastrës, Irena Brahimi, ndërsa një çështje gjyqësore u referua për inspektim në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Vendimi u shpall të martën nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Brunilda Bekteshi dhe me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici.
Irena Brahimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe në vitin 2001 u emërua në Gjykatën e Apelit Gjirokastër ku edhe vijon punën aktualisht.
Gjatë seancës dëgjimore, Brahimi u përball me dyshime për trajtim preferencial gjatë blerjes së një apartamenti dhe një njësie shërbimi në Gjirokastër, dyshime të cilat ajo i kundërshtoi. Gjithashtu, Brahimi dorëzoi prova të reja lidhur me regjistrimin e një apartamenti si dhe me punësimin e saj si ndihmësgjyqtare jo-efektive në periudhën 1995-1996.
Sa i përket kriterit të figurës, DSIK dorëzoi dy raporte përshtatshmërie në KPK, por referoi disa informacione të klasifikuara që ngrinin dyshime për përfshirjen e Brahimit në veprimtari të paligjshme.
Brahimi e kundërshtoi raportin e dytë të DSIK, ndërsa shtoi se denoncuesi ishte anonim dhe kishte pasur si qëllim hakmarrjen –ndërsa një dëshmitar i pyetur nga Komisioni kishte mohuar sipas saj episodin e dyshuar.
Në vitin 2016, Brahimi ishte kallëzuar nga një institucion në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por kjo e fundit kishte vendosur mosfillimin e hetimit./ BIRN