Kandidati i PD: Një bujtinë në Labovë i ka zënë frymën Kishës dhe ka zaptuar hapësirë publike. Bashkia nuk ekziston, qeveria është e panjohur
Kandidati i PD, Adil Xhelili, ka bërë një reagim në faqen e tij në Facebook pasi kandidati i PS, Leonard Hide, pati zhvilluar një takim në fshatrat Labovë e Kryqit e Labovë e Sipërme. Ai thotë se bashkia dhe qeveria kanë qenë inekzistente ndonëse në fakt Labova e Kryqit ka tashmë një rrugë të rikonstruktuar. Sipas Xhelilit një bujtinë e re që po ndërtohet i ka zënë frymën Kishës së Shën Marisë. Më poshtë reagimi i tij i plotë.
Besoj se kur u ngjitën përpjetë parti e kandidat e panë këtë situatë katastrofike që kanë lënë pas qeveria e bashkia në këto 10 vite në Labovën e Sipërme. Një bashki inekzistente dhe një qeveri e panjohur e lanë këtë fshat në ditën më të zezë, pa rrugën e premtuar, pa ndriçim, pa ujë të pijshëm. Dhe sot kujtohen për ta, për hallet e tyre a thua se deri më sot nuk i kishin tërë pushtetet për të ndërhyrë. Sot premtojnë 1.5 km rrugë, që në fakt është paguar njëherë nga këta njerëz, po nuk thonë dot se pse nuk i lidhën të dyja Labovat me rrugë. Mburren për 3 bujtina, po një u mbyll, tjetra i ka zënë frymën Kishës dhe ka zaptuar hapësirë publike. Nuk kanë guximin të thonë një fjalë për dritat që banorët i ndërrojnë vetë, për ujin që e kanë vetëm një orë në ditë, për plehrat që mbulojnë fshatin. Po njerëzit shohin e vlerësojnë, 14 maji do i japë fund indiferencës dhe mashtrimit për këta njerëz. Labova meriton dinjitet, meriton vëmendje, meriton të jetë perla e vërtetë e bashkisë tonë. Kush ka hyrë e ka dalë në familjet labovite, është bërë mik familjar, është ndier i nderuar dhe ka marrë me vete më të mirin virtyt MIKPRITJEN! Le t’ua kthejmë me punë!