Këshilltari i PS reagon ashpër: Gjirokastra po kthehet në fshat si Këlcyra, ikën të gjitha drejtoritë. Të paktën të themi që nuk jemi dakord (VIDEO)
Petrit Brahimi një nga këshilltarët më të vjetër të socialistëve në Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës ka reaguar ashpër në mbledhjen e fundit të zhvilluar një ditë më parë. Ai ka ngritur problemin e shkrirjes së shumë institucioneve në Gjirokastër, duke i humbur qytetit rëndësinë e dikurshme si qendër administrative.
“Gjirokastra ka qenë rreth me shumë tradita dhe është rreth kufitar. Shiko Janinën aty në krah, ka qarkun, ka prefekturën, ka të gjithë institucionet ndërsa Gjirokastra po kthehet në Këlcyrë, po kthehet në fshat. Pa asnjë drejtori! Agronomët varen nga Lushnja, një çorganizim i organizuar, veterinerët varen nga Vlora, Bordi Kullimit nga Fieri, shëndetësia varet nga Vlora. Gjirokastra nuk meriton të ketë një drejtori? Të paktën ne të prononcohemi, të lajmë surratin tonë, të themi që nuk jemi dakord”, u shpreh Brahimi.
Debati nisi teksa Këshilli po diskutonte një rezolutë që kundërshton shkrirjen e dy gjykatave në Gjirokastër, projekt që është kundërshtuar nga avokatët dhe jo vetëm. Çështjen e largimit të disa drejtorive nga Gjirokastra e ka ngritur me të madhe Vangjel Tavo kur po kandidonte sërish për një mandat deputeti në zgjedhjet e 25 prillit. Asokohe Brahimi dhe shumë nga socialistët heshtnin. Jo se po të flisnin mund të kishin zgjidhur gjë, por të paktën siç thotë vetë Brahimi “të kishin larë surratin” që atëhere. Sidoqoftë edhe ky reagim i sotëm ndonëse i vonuar është i mirëpritur.