Kinema verore në Gjirokastër, maratonë filmash në qytetin e gurtë
“Open Cinema”, një prej aktiviteteve më të rëndësishme kulturore të verës në Gjirokastër po sjell në formatin e një kinemaje verore disa prej realizimeve më të fundit të kinemasë së huaj dhe shqiptare.
Kjo maratonë kinematografike mblodhi personalitete të shquara të kinemasë dhe kulturës, aktorë dhe regjisorë. Nën prezantimin e Silvana Braçes, “Open Cinema” iu drejtua një publiku që në 50% të tij përbëhej nga vizitorë të huaj. Edmond Budina prezantoi në “Open Cinema” premierën e filmit të tij të fundit në Shqipëri, “Broken”.
Budina, që edhe vet debuton në këtë prodhim, tha se filmi, një bashkëpunim shqiptaro-italo- maqedonas, godet korrupsionin dhe përfshirjen e shtetit në afera korruptive. Të hënën në mbrëmje, përveç filmit “Broken” u projektuan edhe filmat “Helena e Trojës” dhe “Kërkohet një gënjeshtar”. Të paktën 20 filma u shfaqen për publikun përgjatë 4 ditëve të “Open Cinema”.