Kjo ishte Shqipëria e 1997-ës. Një foto e përzgjedhur nga Reuters
Sot në Kuvend u fol edhe për vitin e tmerrshëm: 1997. Por meqë këto ditë, Reuters feston 30 vite fotografi, ndër fotot e seleksionuara për prezantim është edhe një nga Shqipëria e vitit 1997, e realizuar nga Yannis Behrakis në vitin 1997, më 16 mars.
“Po mbuloja trazirat në Shqipëri pas rënies së skemave piramidale. Civilët shqiptarë kishin humbur 1.2 miliardë dollarë dhe Shqipëria po shkonte drejt një mosbindje civile. Qeveria ishte rrëzuar dhe 2 mijë njerëz ishin vrarë. Kolegu im i ndjerë, Kurt Schork dhe unë, ishim të vetmit që po qëndronim në një hotel në Durrës, ku pronari i armatosur na mbronte nga banditët, që mund të grabisnin çdo gazetar të guxonte të mbulonte këto ngjarje. Pronari insistonte që të na vendoste Kallashnikovë dhe granata dore në dollapët e dhomave, për të “mbrojtur veten nëse kemi nevojë””.
“Më 16 mars udhëtova drejt plazhit të Golemit, ku ishin ulur dy helikopterë amerikanë. Ato kishin ngritur një stuhi rëre dhe qindra shqiptarë të dëshpëruar ishin mbledhur në këtë zonë, duke shpresuar që mund t’i nxirrnin jashtë vendit. I qorruar nga rëra, bëra disa foto, mes tyre të një shqiptari që mbante një fëmijë dhe vraponte drejt helikopterit. Një duzinë me marinsa zbritën nga helikopteri dhe i drejtuan armët M-16 shqiptarit. Burri me fëmijën po u lutej ushtarëve që ta linin të hipte në helikopter. Marinsat ishin të habitur nga turma dhe më pyetën se çfarë po ndodhte dhe nëse kisha parë ndonjë të huaj që po tentonte të largohej. U shpjegova se ishin njerëz të dëshpëruar, që donin të linin Shqipërinë, dhe mendonin se helikopterët kishin ardhur për t’i larguar në një vend të sigurt. Situata po dilte nga kontrolli dhe disa krisma u qëlluan dhe njerëzit u goditën me qytat e armëve. Fakti që vendosëm të rrezikojmë dhe qëndrojmë në Durrës u shpërblye. Gazetat në mbarë botën e publikuan foton në faqet e para”, tregon fotografi.