Klosi viziton fermën e kuajve në Gjirokastër dhe më pas drekon në Lunxhëri: Ulim taksat për agroturizmin (FOTO)
Për të nxitur agroturizmin qeveria do të reduktojë taksat në këtë sektor. Deklarata u bë nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë një vizite në një fermë kalërimi në Gjirokastër.
Blendi Klosi: “Ne kemi një paketë fiskale e cila do të kalojë së shpejti në qeveri dhe që do të kërkojë që për agroturizmin ne të kemi një reduktim të sistemit të taksave për t’i nxitur ata që të ecin sa më shumë përpara, por më shumë se kaq ne na duhet që të kemi për turistët edhe alternativa të tjera.”
Ndërsa gjatë vizitës në një biznes agroturistik në Lunxhëri, Klosi ftoi të gjithë ata që duan të merren me këtë lloj turizmi që të përfitojnë nga paketa fiskale. Sipas këto ferma janë fillesat e një industrie të agroturizmit që i japin zonës zhvillim.
Blendi Klosi: “Është në fakt kjo e gjithë politika që ne po ndërtojmë që pasi bëmë Rilindjen Urbane në qytet, ne të zhvillojmë rilindjen rurale duke ndërtuar pole të zhvillimit të zonave tona rurale ku kemi të kombinuara bukuritë e natyrës por edhe prodhimet e vendit dhe argëtimet për turistët.”
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, theksoi se Gjirokastra i ka të gjitha mundësitë për të zhvilluar një turizëm të diversifikuar që të përfshijë jo vetëm bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore por edhe pikat agroturistike dhe turizmin familjar.