Intervista/ Kokalari tregon projektin e tij për Gjirokastrën

176044Kandidati për bashkinë e Gjirokastrës Igli Kokalari në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” deklaroi se nëse do të fitojë zgjedhjet e 21qershorit në bashkinë e Gjirokastrës do të vazhdojë projektet e nisura nga ish-kryebashkiaku i majtë, Flamur Bime. Në programin e qeverisjes së Gjirokastrës, Kokalari u shpreh se prioritet pas turizmit do të jetë rivendosja në punë e industrisë së lehtë dhe afrimi i investitorëve. Kandidati i PD për qytetin e gurtë theksoi se investitorët në Gjirokastër do të gjejnë një klimë të mirë biznesi, lëndën e parë, por edhe njerëzit, që janë aseti më i çmuar. Kokalari, mjek në profesion në vazhdim të intervistës së tij u shpreh se nuk do t’i ndajë njerëzit në të majtë dhe të djathtë, por do t’i trajtojë ashtu sikur ka vepruar në profesionin e tij. 

Pjesë nga intervista në “5 Pyetjet nga Babaramo”

Cili është vlerësimi juaj për punën e kryebashkiakut Falmur Bime në 3 mandate?
Është një kohë e gjatë, 3 mandate. Bime ka pasur një kontratë me elektoratin e ka votuar për 3 vite rresht, unë nuk e kam në idenë time të merrem me të kaluarën. Unë vlerësoj çdo individ që ka vënë qoftë edhe një gurë në themelet e atij qyteti. Bimja mendoj se ka pasur edhe probleme që çuan edhe në moskandidimin e tij në këto zgjedhje. Kryetari Bime është akuzuar disa herë për betonizimin e qytetit dhe frymë klienteliste që ka pasur në menaxhimin e bashkisë. Ne kemi mundësinë ta shohim Gjirokastrën drejt së ardhmes. Po citoj një shprehje të tij: “Tani që më erdhi mundësia të bëjë diçka për Gjirokastrën këta më hoqën”. Dhe atij duhet t’i kenë ngelur shumë projekte në mend që nuk i ka bërë për qytetin.
 
Çfarë do të ndryshoni?
Projektet dhe punët që kanë mbetur në mes do të vazhdojnë për tu finalizuar dhe nuk mund të lëmë punë që janë ngritur dhe kanë mbetur pa u mbaruar, po marrim pedonalen, investimet e Viroit. Së pari do të ndryshoj mentalitetin, do ta shndërroj në bashki për zërin e qytetarëve. Bashkia që në emrin e ri që merr, një bashki e madhe, do të jetë bashki edhe e gjirokastritëve edhe lazaratasve etj, çdo kush do të ketë zërin e tij. Ka shumë për të ndryshuar, duke filluar që nga mbledhja e taksave. Do të luajmë me taksa të ulëta, e do të arrihet duke zgjeruar bazën e taksapaguesve dhe duke bërë më të ulët taksën për të tjerët.
 
Çfarë projekti keni për pjesën muzeale të Gjirokastrës? Ka sinjale që vijnë nga UNESCO që Gjirokastra po i shkel parametrat…

Të jesh sot në vlerat e UNESCO-s do të thotë që nuk je vetëm më pronë e gjirokastritëve, por vlerë për komunitetin ndërkombëtar. Ne do ta ngremë në piedestal këtë vlerë, nuk do të dalim në pjesën muzeale jashtë kornizave që vendos UNESCO. Të ruajmë atë që nuk është dëmtuar dhe të restaurojmë pjesën tjetër.  Do tërheqim grupe studentësh që do të merren me restaurimin e të gjitha objekteve, shtëpive të vjetra.
 
Unë nuk i përkas tritolit. Do ta urbanizojmë zonën që ajo të marrë efektin e qytetit. Është më kollaj të përshtatësh diçka që ndoshta është bërë dhe gabim në vendin e duhur dhe kohën e gabuar dhe ta përshtatësh me projekte sesa ta shkatërrosh.
Pallatet që janë vendosur në vende të gabuara, t’i japësh formë që të kenë harmoni me qytetin. Gjithë pjesa e poshtme e qytetit duhet ndryshuar, duke i dhënë një fytyrë tjetër qytetit me fasadat. Pjesa e re e qytetit ka filluar na duket më e vjetër se e vjetra
 
Si mendoni se mund të promovohet turizmi i Gjirokastrës?
Ne kënaqemi nga numri i turistëve i autobusëve. Nuk shikojmë se çfarë konsumojnë ata turistë, sa netë qëndrojnë, cila është paketa e tyre turistike. Turizmi bëhet nga njerëz që e njohin turizmin.  Gjirokastra s’mund të jetë një qytet me turistë pa një paketë të caktuar turistike. Duke i mirëmenaxhuar këto paketa. Gjirokastra ka qytetin e gurit dhe polifoninë, ne do të promovojnë agroturizmin e mund të arrijmë dhe në një turizëm fetar. Njerëzit kanë nevojë të shikojnë xhamitë, teqetë, kishat, vende të bukura që ende nuk janë vizituar nga turistët.

Në përbërje të strukturave që varen nga bashkia të ektë grupe polifonike që të shëtisin nëpër Pazar, turistët t’i dëgjojnë duke kënduar në rrugët e Gjirokastrës. Të gjitha bizneset që janë në Pazar do të rikonstrukturohen. Turistët në atë Pazar nuk mund të shikojnë një dyqan që rregullon televizorë. Ai është Pazar karakteristik që mund ti shërbeje biznesit të endjesh me lesh, punimeve artizanale etj.
 
Ne do të bëjmë festivale të tjera si Argjiro fest, festivale të muzikës moderne, do të organizojmë evente të tjera që do ti shfaqim njëra pas tjetër.
 
Si do t’i afroni investitorët në Gjirokastër?
Bashkia do të ofrojnë kushtet e nevojshme për investitorët, infrastruktura është, njerëzit dhe dija janë aseti më i çmuar i Gjirokastrës. Klima e mirë, krahu i punës dhe lënda e parë janë ato që Gjirokastra ofron për të gjithë investitorët. Prej vitesh në Gjirokastër ka humbur lënda e parë. Para pak vitesh në Gjirokastër leku buronte në të katër anët, tani gjërat po profilizohen, njerëzit po i kthehen punës, bujqësisë dhe blegtorisë. 

Si do integrohen komunat?
Administrimi do të jetë më i mirë me ndarjen e re territoriale. Do të vendosim në eficencë të gjitha kanalet kulluese për të ndihmuar bujqërit. Do të ketë një vëmendje të veçantë për komunat që do t’i bashkohen bashkisë së Gjirokastrës.
 
Jeni i gatshëm ta takoni kryeministrin Rama?
Ka dhe shumë pjesë të elektorat të majtë që më thonë duam të takojmë po nuk mundemi. Në rast se do ishte e vërtetë mbetet që mos të kishim më zgjedhje, pse duhej të votojë elektorati. Unë nuk do jem kryetar i bashksië vetëm i të djathtëve, në jetën time si doktor kam operuar të majtë të djathtë mysliman me ngjyrë pa ngjyrë. Kur një njeri të paraqitet me dhimbje armiku më i madh është dhimbja, dhe ne sot kemi një armik të përbashkët, varfërinë. Unë do ta quaja thjesht humor elektoral se kryetari i qeverisë ka një kontratë elektorale dhe me popullin e Gjirokastrës kur fitoi më 23 qershor dhe nuk mund ta prishë këtë kontratë kur të fitojë një kryetar i djathtë.
 
Si e gjykoni fushatën e kandidates Rami?
Mendoj që është programi që ka pasur kur ka qenë aleat me të djathtët. Kam dëgjuar projekte për aeroportin, jo se jam kundër, por në Gjirokastër diskutohen probleme më të mëdha. Po bëhen lojëra elektorale për punësime masive, më duken premtime që nuk do të mbahen asnjëherë. Futje në punë të njerëzve, në një bisedë me komunitetin rom u ishte premtuar punë pa fund. Elektorati i kupton gjërat shumë me mirë se kushdo.
 
Përse duhet t’ju votojnë ju, avantazhet përballë Ramit?
Shkalla ime e njohjes publike, nuk dola rastësisht. LSI nuk kishte asnjë rival kishte vetëm një kandidaturë dhe vuri vetëm një, rivaliteti brenda asaj force politike ishte zero. Unë i përkas fushës së mjekësisë për një kohë të gjatë. Dhe kjo më ka shërbyer të familjarizohem me qytetarët. Mua nuk më përket asnjë gram nga e kaluara ajo për dy vjet është promovuar prefekte. Opinionin e di që ajo nuk është kandidate reale, është kandidatet e LSI por e dinë që pas saj ndodhin mbrojtje shumë të fuqishme. Ndërkohë Igli paraqitet me dinjitetin e tij. gjirokastritet më kanë besuar jetën e fëmijëve të tyre, të prindërve, e meritoj të më besojnë edhe drejtimin e qytetit.