Komedia në Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës, dy këshilltarët e larguar drejt PS-së sikur i ka rrëmbyer njeri. Nuk japin asnjë shpjegim…

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Gjirokastër u bë publike lëvizja e dy këshilltarëve drejt grupit të Partisë Socialiste. Nuk është diçka që ndodh për herë të parë dhe sigurisht nuk është hera e fundit. Madje në ditët e ardhshme pritet të ketë lëvizje të tjera. Trafikim mandatesh ne kemi parë edhe në Kuvend nga radhët e deputetëve. Por ndryshe nga herët e tjera sot në Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës pamë një komedi më vete.

Dy këshilltarët që u larguan nga partitë në emër të së cilave kishin kërkuar votat, nuk patën kurajon as ta deklaronin vetë vendimin që kishin marrë. Ardian Hyskaj i LSI-së dhe Selaudin Mosho i PDIU-së, i kishin dërguar një ‘letër bakalli’ kreut të Këshillit Bashkiak, Roland Karalli, ku thjesht i njoftonin kalimin tek PS-ja. Asnjë motivacion, asnjë sqarim përse kishin bërë një zgjedhje të tillë. Minimalisht ata kanë detyrimin t’i sqarojnë votuesve të cilëve u kanë kërkuar vota se përse zgjodhën të veprojnë në këtë mënyrë. Fakti që ikën sikur i pati rrëmbyer njeri, përforcon atë është në fakt arsyeja kryesore e lëvizjes së tyre; interesat private apo le të themi ‘tepsia’ e pushtetit të PS-së.

Edhe kështu qoftë nuk është ndonjë hata e madhe, për aq kohë sa interesat janë të ligjshme dhe të deklaruara, por së paku Selaudin Mosho dhe Ardian Hyskaj duhej të kishin guximin të sqaronin përpara gjirokastritëve se përse e morën e këtë vendim. Ky është një standard poshtë të cilit nuk mund të zbresim, një standard që në atë këshill e pati vendosur edhe Arben Rexha, i cili para dy vitesh braktisi Partinë Republikane për të shkuar tek LSI-ja.

Sigurisht që edhe ai largim ishte për çështje ‘tepsie’, por së paku Rexha doli dhe e deklaroi vetë, ndonëse kishte sajuar një motiv qesharak, teksa tha se e bëri këtë lëvizje për të qenë afër arsimit dhe se Vangjel Tavo kishte këmbëngulur shumë. Por të paktën nuk heshti, nuk e bëri kapërcimin nga njëra parti tek tjetra sikur e kishte rrëmbyer njeri. Ndërkohë Ardian Hyskaj dhe Selaudin Mosho treguan edhe njëherë batakun ku kanë rënë këshillat bashkiakë në Shqipëri. Brenda tyre vegjëtojnë njerëz që nuk përfaqësojnë komunitetet të cilat i kanë zgjedhur, por thjesht janë aty për interesa të ngushta personale dhe në shumë raste, si ky i sotmi në Gjirokastër, kanë zero etikë dhe respekt për ata që i kanë votuar.

©ArgjiroLajm.net