Kompania ‘fantazmë’ kapet duke prerë pyjet në Zagori, nënkryetari i Bashkisë Libohovë i bën kallëzim në polici
Edhe pse Zagoria është shpallur Park Natyror Kombëtar dhe bën pjesë tek zonat e mbrojtura, për fat të keq ka ende abuzim me prerjen e pyjeve.
Sot gjatë ditës në fshatin Sheper janë shfaqur punëtorë të një kompanie duke prerë dru. Nga verifikimet paraprake rezulton se kjo kompani nuk ishte pajisur me leje as nga Bashkia Libohovë, as nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura apo Ministria e Mjedisit.
Në këto kushte është njoftuar policia, ndërsa nënkryetari i Bashkisë Libohovë, Ilia Kuro, ka depozituar kallëzim në komisariatin e Gjirokastrës. Ende nuk dihet se cila është kjo kompani fantazmë dhe sa përllogaritet dëmi i shkaktuar prej saj.
Prerja e pyjeve në mënyrë të paligjshme në Zagori ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i banorëve dhe ambientalistëve.
©Libohova Online