Krimi makabër në rrugën Poliçan-Suhë, Gëzim Saraçi dyshohet se u vra nga një person që udhëtonte me të në makinë
Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë pasdite në Gjirokastër, ku u gjet i pajetë në kamionçinën e tij 57-vjeçari, Gëzim Saraçi. Sipas burimeve nga policia mësohet se viktima ka qenë duke udhëtuar me autorin kur është qëlluar me sende të forta nga ky i fundit. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit. Policia mësohet se ka identifikuar autorin, ndërsa po punohet për kapjen e tij. Policia e Gjirokastrës ka ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Motivi për krimin e rëndë nuk dihet ende.
Njoftimi i policise
Në aksin rrugor rural Polican-Suhë, shtetasi G. S., 57 vjeç, banues në Gjirokastër, në rrethana ende të paqarta është gjetur i pajetë në mjetin e tij tip kamionçinë. Nga këqyrja paraprake dyshohet se është goditur me sende të forta. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komsiariatit të Policisë Gjirokastër kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.