Kujtimet e Hasan Spahiut më rikthyen kujtimet e 60 viteve më parë në Libohovë
Më në fund, një libër kujtimesh shkruar nga një burrë dhe mësues i madh. Hasan Spahiu i përket një brezi që vunë themelet e arsimit shqip dhe qytetërimit në vendin tonë. Ky burrë dhe mësues i rrallë, i përket asaj plejade njerëzish të shquar të një periudhe kalimtare, pra midis fillimit të viteve ’30 deri nga mesi i viteve ’60 të shekullit të shkuar. Unë nuk e pata fatin të isha direkt nxënës i tij, por që nga klasa e parë dhe deri në fund të klasës së shtatë, ai ishte mësues dhe tre vitet e fundit , drejtori i shkollës, një shkollë me tradita, por që jam i bindur se askush nga ata që ishin para dhe pas kësaj periudhe, s’besoj t’i afroheshin nivelit të tij në të gjitha drejtimet.
Autoritar, i zoti, me personalitet të fuqishëm, i drejtë dhe i ndershëm si puritanët e lashtësisë, Hasan Spahiu ishte pa dyshim mësuesi dhe drejtori që do ta kishin zili edhe profesorët dhe drejtuesit e shkollave më të mira evropiane, pse jo, dhe më gjerë. I heshtur, i rreptë, por edhe me një shpirt të madh e të dhëmshur, Hasan Spahiu ishte mësuesi dhe drejtori që fliste dhe kur heshtëte, tamam si një psikolog që dinte të zhbironte çdo shpirt të brishtë të nxënësve të asaj kohe, ku kërkesa për të asimiluar programet mësimore ishte në nivelin maksimal.
I ndodhur në dilemë midis kërkesave të rrepta të përvehtësim të programeve mësimore nga njera anë dhe fukarallëkut të skajshëm të asaj periudhe nga ana tjetër, kur në jo pak raste nxënësve u binte të fikët në klasë nga mos ushqyerja, në këtë sfond tragjik, ai burrë që ishte kaq i rreptë dhe kërkues, qe gati të përlotej kur ndodhnin ngjarje të tilla. Për fatin e tij të madh, ai kishte në krah një grua të rrallë dhe fisnike, një aristokrate të lindur në kuptimin më të saktë të kësaj fjale, Shazien. Ndoshta ishte dhe kjo lidhje që e bënte atë të ishte kaq i ndjeshëm e njerëzor dhe të “dilte” nga natyra e tij strikte. Pra, me fjalë të tjera në një person të vetëm ishin bërë bashkë njeriu model, intelektuali, mësuesi pasionant, drejtori autoritar dhe prindi i dhëmshur, që, të tëra së bashku kishin krijuar atë portret madhështor, ku vetë mësuesit, pra kolegët, e shihnin veten vërtet mësues, se kishin në krye një drejtor që kurrë s’do lejonte kërkënd të prekte padrejtësisht cilindo prej tyre.
Ishte ky besim dhe nderim i trupës mësimore që Ai të konsiderohej i pari, jo nga posti, por nga personaliteti dhe prestigji….. Megjithatë, sadoqë të flasësh për Hasanin, asnjëherë nuk arrin t’i thuash të gjitha. Lindur në Libohovë më 1914 dhe mbaruar Shkollën Teknike Harry Fulc në Kavajë më 1931 me rezultate të shkëlqyera, ai ishte pajisur me një kulturë të gjerë dhe të bënte për vete me erudicionin e tij. Duke e parë në distancë, nga larg, gjithmonë mësoje diçka të re për të. Ai ishte një specialist i mirëfilltë për bujqësinë dhe kishte një formim të përgjirthshëm për tu admiruar.
Veç të tjerave, ishte një poet lirik, ku, poezitë e tij të shkruara dhe botuara gjatë viteve ’30 të shekullit të shkuar, janë gjithë art, finesë dhe elegancë. Njihte mirë italishten dhe anglishten, biles, këtë të fundit, në nuancat më të holla. Nga anglishtja ka përkthyer dhe përshtatur tetë libra artistikë dhe teknikë. Në botimin e parë të fjalorit Anglisht- Shqip në vëndin tonë mbi 40 vjet më parë, Hasani ishte një nga kritikët më të ashpër për gabimet dhe pasaktësitë e atij botimi, kritikë që u botua dhe në një nga gazetat periodike të kohës. Biblioteka e tij personale ishte nga më të pasurat dhe, mbi 40 volume, gjatë viteve ’30 kishin ardhur direkt nga SHBA sipas porosive të tij. Të vijmë tani te libri “Kujtimet e një Arsimtari “, që sapo doli në qarkullim. E “përpiva” librin brenda ditës dhe, aty mësova se Libohova ishte “stacioni i tij i fundit ” pas 12 viteve pune si mësues në rrethet Dibër, Kolonjë, Kavajë dhe Konispol; një jetë përkushtuar arsimit derisa doli në pension para kohe për arësye shëndetësore.
Te pjesa e kujtimeve që shkruhet për Libohovën, ato më kthyen rreth 60 vjet pas në kohë dhe më prunë në kujtesë “një galeri” të tërë personazhesh e ngjarjesh. Vendosa të mos shkruaj asnjë rresht për kronologjinë e atyre ngjarjeve dhe personazheve dhe, as për artin e përsosur të trajtimit, se dua që, kur t’i lexoni, ta ndjeni edhe ju të plotë magjinë e “rrëfimit “, ashtu siç i ndjeva unë kur i lexova dhe që kam ditë që po i rikujtoj e rijetoj ato ngjarje të paharruara të një kohe të shkuar. © libohovaonline.com