Kujtimet e Hasan Spahiut, mësuesi libohovit rrëfen jetën mes nxënësve
Shkolla 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Libohovë mund të mos jetë sot një ndër shkollat më të mira në Shqipëri, për probleme e shkaqe nga më të ndryshmet që nuk është momenti për t’i analizuar. Por nëse mund të veçojmë një ndër periudhat kur ajo renditej ndër shkollat më të mira në rang vendi, me siguri që duhet të jenë 23 vitet kur ka shërbyer herë si mësues i thjeshtë e herë si drejtues Hasan Spahiu.
Karriera e tij si mësues nisi që në moshën 17-vjeçare e deri sa doli në pension. Vërtet që janë shumë vite, shumë kujtime e ngjarje, por si një merakli i vërtetë Hasan Spahiu u kujdes që t’i përmblidhte në një dorëshkrim. Ai ishte i bindur se këto kujtime do t’i vlenin kohës, do t’i vlenin historisë së arsimit në Libohovë dhe më gjerë. Dhe ja tek jemi sot, ku përmes librit “Kujtimet e një Arsimtari”, Hasan Spahiu rrëfen jetën e tij në shkollën e Libohovës, Ostrenit, Golemit (Kavajë), Ersekës, Markatit etj.
Indiferenca dhe burokracitë e kohës, sa nga njëra zyrë në tjetrën, sa nga njëri kuadro te tjetri, bën që dorëshkrimi i Hasan Spahiut të mos botohej për 34 vjet rresht. Por, falë përpjekjes së nipit të tij, Ilir Spahiu, sot këto kujtime nuk janë më të mbuluara nga pluhuri i harresës. Libri është një lloj “arkivi” i mësuesit, brenda të cilit gjen përshkrime të hollësishme dhe evidenca për gjithë vitet e karrierës së Hasan Spahiut si mësues.
Ilustrimi me fotografi është një tjetër element që e bën këtë vëllim më të plotë, pasi evokon qartësisht një kohë kur profesioni i mësuesit ishte me të vërtët i lakmueshëm dhe i respektuar gjerësisht, ndryshe nga kohët e sotme. “Kujtimet e një Arsimtari” është një libër që duhet ta ketë me patjetër çdo nxënës që është mësuar prej Hasan Spahiut, por edhe mësuesit e ditëve të sotme. Këta të fundit kanë çfarë mësojnë prej përkushtimit dhe dashurisë me të cilën Hasan Spahiu ushtronte profesionin e mësuesit.
Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, Bashkia Libohovë e nderoi Hasan Spahiun me titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes). Karrierën e tij si mësues ai e nisi në vitin e largët 1931 deri sa doli në pension në vitin 1965. Pas daljes në pension ai u vlerësua me titullin “Mësues i Merituar”. Spahiu u nda nga jeta në vitin 1998. © libohovaonline.com