Kultivimi i kërmillit, dy ferma në Libohovë
Të bësh një shëtitje në fushën e Dropullit, më shumë të zë syri toka të mbjella me jonxh, misër, tërshërë dhe aty-këtu ndonjë ngastër me grurë apo perime. Sigurisht që një pjesë e konsiderueshme e tokës është e lënë djerrë, për shkak të shpenzimeve relativisht të larta të punimit, por edhe për shkaqe që lidhen me emigracionin dhe mungesën e tregut. Megjithatë, përkundër këtyre kulturave tradicionale, ka edhe fermerë që kanë nisur kultivimin e kërmillit. Aktualisht ka dy ferma ku kultivohet kërmilli, një në Libohovë dhe tjetra pranë fshatit Nepravishtë.
Sasia e prodhuar në to eksportohet kryesisht në Francë dhe Itali. Çmimi mesatar për kilogramë, varion nga 10 deri në 12 euro. Vitet e fundit në vendin tonë është rritur numri i fermerëve që investojnë në kultivimin e kërmillit. Ata bashkëpunojnë për këto investime me partnerë biznesi nga vende si Italia, Franca, Spanja etj. Toka, klima dhe sasia e ujërave të mjaftueshme e bëjnë Shqipërinë një vend të përshtatshëm për rritjen e moluskut Helix Aspersa, që quhet ndryshe edhe si kërmilli mesdhetar.
Duke parë investimet e shumta të fermerëve në këtë drejtim, Ministria e Bujqësisë e përfshiu kultivimin e kërmillit në skemat e subvencionimit. Fermat që hapen për herë të parë përfitojnë një subvencion prej 500 mijë lekësh për hektarë, ndërsa për fermat ekzistuese, që zgjerohen, deri në 250 mijë lekë për hektarë. Tokat ku duhet të kultivohet kërmilli duhet të jenë vazhdimisht të mbjella me bimët e preferuara të tij, si lakra, panxhari dhe luledielli, ndërkohë që nuk duhet të mungojë uji.
Të shtyrë shpesh nga shpenzimet e larta dhe mungesa e tregut, një pjesë e fermerëve i lënë pa punuar tokat e tyre, ndersa një pjesë tjetër po investon në kultura relativisht të reja për vendin tonë, siç është kërmilli apo qoftë edhe sherebela e kultivuar në fushë. Janë investime që kërkojnë buxhet relativisht të vogël, kanë treg të garantuar dhe sigurojnë kthim të vlerës brenda një kohe të shkurtër.